Trupat izraelite kanë filluar të prishin vendbanimet e paligjshme hebraike në Bregun Perëndimor, në përputhje me angazhimet e Izraelit bazuar në planin ndërkombëtar të paqes. Forcat izraelite hoqën një numër kabinash të boshatisura nga një vendbanim i paligjshëm hebraik në afërsi të qytetit Ramallah në Bregun Perëndimor.
Ministri izraelit i Mbrojtjes Shaul Mofaz u ka paraqitur kolonëve izraelitë një listë me 15 vendbanime të paligjshme, katër prej të cilave të banuara, që ushtria ka në plan t’i prishë në një të ardhme të afërt.
Vendimi pasoi angazhimin e kryeministrit të Izraelit Ariel Sharon në takimin e javës së kaluar me homologun e tij palestinez Mahmud Abaz dhe presidentin Bush në Jordani, për të hequr vendbanime të tilla.
Angazhimi i zotit Sharon i zemëroi kolonët hebrenj, të cilët thonë se Bregu Perëndimor i takon shtetit të Izraelit.
Adi Mintz, zëdhënës i Këshillit Yesha për kolonët hebrenj, tha se organizata e tij do të protestojë ndaj kësaj politike qeveritare, por vetëm me mjete paqësore.
“Mendojmë se hebrenjtë kanë të drejtën të jetojnë kudo në shtetin e Izraelit. Kjo është toka jonë. Kjo është tokë hebraike. Kjo është tokë e shtetit tonë. Kurrë nuk kemi marrë tokën e tjetrit. Ne do të bëjmë qëndresë. Por nuk do t’i kundërvihemi ligjit”, tha ai. Ministri i brendshëm izraelit Avraham Poraz tha se këshilli i kolonëve hebrenj nuk ka baza të ligjshme për të argumentuar.
Ai tha se vendbanimet hebraike u ndërtuan pa miratimin e qeverisë dhe duhen hequr, edhe nëse përpjekjet aktuale për paqe me palestinezët nuk dalin me sukses.
“Këto vendbanime duhet të hiqen, pavarësisht nga procesi i paqes, pasi në një vend ku sundon ligji nuk duhet t’u lejojmë qytetarëve të bëjnë ndërtime pa leje. Kjo është një masë e mirë për Izraelin dhe për territoret e Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës, tha ai.
Ndërkaq, kryeministri Abaz e dënoi valën e re të sulmeve kundër izraelitëve nga grupet e armatosura palestineze. Por ai e përjashtoi përdorimin e forcës kundër grupeve të tilla nga frika se kjo mund të çojë në luftë civile brenda shoqërisë palestineze.//kk//