Lidhje

Rumsfeld në Shqipëri - 2003-06-10


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld u takua me Presidentin e Shqipërisë Alfred Moisiu, gjatë një vizite të shkurtër në Tiranë.

Zoti Rumsfeld e filloi turneun e tij katër ditësh në Evropë, pjesërisht për të falenderuar Shqipërinë dhe disa vende të tjera për mbështetjen që dhanë në luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak.

Zoti Rumsfeld nuk bëri komente për gazetarët në Tiranë pas takimeve me Presidentin dhe me kryeministrin Fatos Nano.

Shqipëria nuk dërgoi trupa në Irak gjatë luftës, por ka dërguar atje një kontingjent të vogël trupash jo-luftarake për të ndihmuar në operacionet paqeruajtëse.

Njoftohet gjithashtu se qeveria e Tiranës është e gatshme të pranojë të paktën një bazë amerikane në kuadrin e përpjekjeve të saj për të siguruar anëtarësinë në Nato.

Nga Shqipëria, zoti Rumsfeld u nis për në Qendrën e Studimeve Ndërkombëtare në Garmisch të Gjermanisë, e cila ka lidhje të ngushta me Pentagonin. Qendra drejton një shkollë për zyrtarë të nivelit të mesëm nga vende të ish-bllokut komunist që janë në partneritet me Naton, ose presin të antarësohen në këtë Pakt.

Të enjten dhe të premten zoti Rumsfeld do të marrë pjesë në një takim të ministrave të mbrojtjes të Natos në Bruksel, në kuadër të përpjekjeve të Aleancës për të kapërcyer përçarjet që lidhen me luftën në Irak dhe për t’u përballur me sfidat e së ardhmes. ‘

Pentagoni po planifikon një ridislokim të focave në botë, që pritet të rezultojë në lëvizjen e trupave amerikane nga bazat e mëdha të periudhës së Luftës së Ftohtë në Gjermani, për në vende të tjera në Evropën Lindore.

Një zyrtar i lartë i Natos thotë se këto plane nuk janë në rendin e ditës të takimit të ministrave. Ai tha se bisedimet do të përqëndrohen në riorganizimin e strukturës së komandës së Natos për t’ia përshtatur atë sfidave të shekullit të 21-të si terrorizmi dhe vendet e papërgjegjshme që kanë armë të shkatërrimit në masë.

XS
SM
MD
LG