Lidhje

Kalendari Historik, 13 qershor - 2003-06-11


Më 13 qershor të vitit 1994, dy persona u gjetën të vdekur në Los Angeles të Kalifornisë, në atë që u bë një prej rasteve të vrasjeve më kontradiktore të kohës sonë. Viktimat ishin Nicole Brown Simpson dhe Ron Goldman, një i njohuri i saj. Dyshimet ranë mbi ish bashkëshortin e zonjës Simpson, O-J Simpson, ish ylli i futbollit amerikan, komentator i njohur sportiv dhe ngandonjëherë aktor, me një histori xhelozie e abuzimesh ndaj bashkëshortes së tij Nicole. O-J Simpson u gjykua nën akuzat për vrasje në vitin 1995. Për arsye se Simpson ishte zezak dhe viktimat të bardhë, pati pretendime se ndaj të pandehurit ishin ngritur akuza falso dhe ai ishte viktimë e racizmit në departamentin e policisë në Los Angeles. Disa thoshin se prokurorët dhe hetuesit kishin bërë një punë të dobët në mbledhjen e provave kundër Sipmsonit. Nga ana tjetër, kishte disa njerëz që mendonin se Simpson dhe avokatët e tij po përfitonin nga fama e tij dhe, luajtën kartën e racës, duke u përpjekur të fitonin simpatinë e afrikano-amerikanë në juri dhe jashtë saj. Në tetor të vitit 1995, juria e shpalli të pafajshëm O-J Simpsonin dhe ai u lirua. Por kjo çështje nuk përfundoi me kaq. Në vitin 1977, me anë të një akt padie civile të ngritur nga familjet e viktimave, Simpson u gjet përgjegjës për vrasjen e ish bashkëshortes së tij Nicole dhe të njohurit të saj Ron Goldman. Simpsonit iu dha urdhër t’u paguante familjeve 33 milion dollarë. Vendimi i jurisë në padinë civile të familjeve të viktimave me sa duket konfirmoi opinionin e publikut të gjerë se O-J Simpson ishte në fakt vrasësi i Nicole Brown Simpson dhe Ron Goldman.

Më 13 qershor të vitit 1966, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara mori një vendim që shënoi një hap të madh për t’u garantuar amerikanëve mbrojtje nga inkriminimi i vetvetes. Në këtë çështje që njihet si Miranda kundër Arizonës, Gjykata e Lartë vendosi se për mbrojtjen e të drejtave të amerikanëve për të mos u inkriminuar, policia duhet patjetër që të informojë të dyshuarin në momentin e arrestimit se ka të drejtë të mos flasë dhe se çdo deklaratë që ai bën mund të shfrytëzohet kundër tij dhe se ai ka të drejtë të konsultohet me avokatin. Vendimi Miranda u vlerësua nga përkrahësit e lirive civile si një fitore e madhe për të drejtat individuale. Por disa konservatorë e kritikuan vendimin si minues për përpjekjet e zyrtarëve të ruajtjes së rendit.

XS
SM
MD
LG