Lidhje

Irak: Rrëzohet një helikopter ushtarak ndërkohë që vazhdon ofensiva e koalicionit - 2003-06-12


Një helikopter ushtarak amerikan u rrëzua në Irak, ndërkohë që trupat amerikane vazhdojnë një operacion në shkallë të gjerë për të shkatërruar grupet që mendohet se po organizojnë sulme kundër ushtarëve amerikanë.

Komanda Qendrore amerikane tha se helikopteri Apaçi u rrëzua sot nga zjarri i armikut në një zonë të Irakut perëndimor. Komanda thotë se forcat e koalicionit arritën të shpëtonin dy anëtarët e ekuipazhit të helikopterit.

Komanda Qendrore tha gjithashtu se një avion luftarak amerikan F-16 u rrëzua sot në jugperëndim të Bagdadit. Piloti u hodh me parashutë pa asnjë problem dhe pas një ore u evakua nga forcat e koalicionit. Shkaku i rrëzimit ende nuk dihet, por zyrtarët kanë filluar hetimet.

Incidenti ndodhi ndërkohë që forcat e koalicionit vazhdonin misionin kundër simpatizantëve të Partisë Bath, grupeve paraushtarake dhe të tjerëve që shikohen si besnikë të udhëheqësit të përmbysur Sadam Husein. Administratori amerikan në Irak, Pol Bremer, fajëson grupe të tilla për intensifikimin e sulmeve kundër ushtarëve amerikanë. Të paktën 10 ushtarë amerikanë janë vrarë gjatë 15 ditëve të fundit.

Në veprimet më të fundit, forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara sulmuan sot nga ajri dhe toka atë që Komanda Qendrore e cilësoi si një kamp për stërvitjen e terroristëve. Në një deklaratë të Komandës Qendrore thuhet se një ushtar i koalicionit pësoi plagë të lehta në një betejë, rreth 150 kilometra në veriperëndim të Bagdadit. Ndërkohë, civilët irakianë po ankohen se në këtë operacion po përdoret forcë e tepruar, duke thënë se u janë vënë pranga edhe grave e fëmijëve.

//ad//

XS
SM
MD
LG