Lidhje

Vdes gazetari i njohur amerikan David Brinkley - 2003-06-12


Në Hjuston të Teksasit vdiq në moshën 82-vjeçare gazetari amerikan me përvojë David Brinkley.

Zoti Brinkley pati një karrierë mëse 50-vjeçare si drejtuesh programesh televizive dhe ka mbuluar të gjithë presidentët amerikanë që nga koha e Franklin Ruzveltit. Shumë njerëz e konsideronin atë si një nga gazetarët më të shkëlqyer të televizionit për kohën kur ai punoi.

David Brinkley ka fituar çmime të shumta në gazetari, duke përfshirë 10 çmime Emmy. Në vitin 1992 ai mori Medaljen Presidenciale të Lirisë, medalja më e lartë civile e vendit.

Zoti Brinkley e filloi karrierën si reporter gazete në Wilminton të Karolinës së Veriut kur ishte në shkollë të mesme. Pas Luftës së Dytë Botërore kur u çmobilizua nga shërbimi ushtarak, ai filloi së pari punën në kanalin televiziv NBC.

Shtytjen e parë karriera e tij e mori në vitin 1956, kur së bashku me gazetarin Chet Huntley, ai mbuloi kuvendet e partive për zgjedhjet presidenciale. Dy gazetarët patën aq sukses sa që kanali NBC i bëri të dy ata drejtues të programit të lajmeve të mbrëmjes. Çdo mbrëmje, emisioni i tyre mbyllej me fjalët ”Good Night Chet, Good Night David”, të cilat u bënë të famshme në historinë e televizionit amerikan.

Më vonë, zoti Brinkley u bë drejtues i një programi të rrjetit ABC, i cili jepej të dielave në mëngjes dhe titullohej ”Kësaj jave me David Brinklin”. Me këtë program ai vazhdoi deri në vitin 1996 ndërsa gjatë viteve të fundit ai nuk e ndërpreu punën si komentator.

XS
SM
MD
LG