Lidhje

Izraeli kryen sulm në Rripin e Gazës - 2003-06-13


Pas njoftimeve se kryeministri izraelit, Ariel Sharon, ka urdhëruar ushtrinë të eliminojë plotësisht grupin ekstremist palestinez, Hamas, helikopterët luftarakë izraelitë kryen një sulm në Rripin e Gazës, duke shkaktuar vdekjen e dy vetave dhe plagosjen e më shumë se dhjetë të tjerëve.

Njoftohet se helikopterët qëlluan të premten me të paktën dy raketa një makinë. Njoftohet gjithashtu se në këtë sulm u plagosën disa fëmijë. Në takimin e së enjtes të kabinetit të tij, zoti Sharon tha se Izraeli duhet të ndërmarrë sulme të ashpra kundër terroristëve pasi, sipas tij, kryeministri palestinez, Mahmud Abas, nuk ka qenë në gjendje të frenojë ekstremistët.

Të enjten gjatë një sulmi izraelit në Rripin e Gazës, u vra zyrtari i lartë i Hamasit, Jaser Taha, së bashku me gruan dhe dy vajzat e tij. Mijëra palestinezë të zemëruar morën pjesë të premten në shërbimet e përmortshme në Rripin e Gazës.

Ndërkohë, edhe një palestinez tjetër vdiq të premten nga plagët që mori në sulmin e së enjtes, duke e çuar rritur në tetë numrin e palestinezëve të vrarë. Zyrtarë të Hamasit reaguan me zemërim ndaj sulmit të djeshëm dhe janë zotuar të hakmerren, duke thënë se çdo izraelit është bërë objekt sulmesh dhe paralajmëruan të huajt që të largohen nga Izraeli.

Më shumë se 50 veta janë vrarë këtë javë për shkak të dhunës izraelito- palestineze.

Ndërkaq, Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauëll, hodhi poshtë një sugjerim të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, se një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare është e nevosjme për të ndalur përhapjen e ciklit të dhunës.

Sekretari Pauëll është angazhuar në përpjekje intensive diplomatike duke zhvilluar biseda telefonike me figura të ndryshme të politikës ndërkombëtare për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme.

Ai u bëri thirje izraelitëve dhe palestinezëve të tregojnë përmbajtje. Sekretari Powell pritet të shkojë në rajon javën e ardhshme.

Zoti Powell tha se si udhëheqësit izraelitë ashtu edhe ata palestinezë i kanë thënë gjatë orëve të fundit se pavarësisht nga dhuna, ata nuk do ta braktisin planin e ri të paqes për Lindjen e Mesme dhe angazhimet që bënë në takimin e nivelit të lartë me presidentin Bush që u zhvillua javën e kaluar në Akaba. Në një bisedë me gazetarët, sekretari Pauëll nuk pranoi të kritikonte në mënyrë të veçantë sulmet e Izraelit kundër ekstremistëve palestinezë, duke thënë se pikësynimi kryesor duhet të jetë ndalja e terrorizmit:

“Rëndësi ka që t’i jepet fund terrorit. Nëse ndalet terrori, nuk do të ketë më nevojë për përgjigje ndaj terrorit. Prandaj duhet të angazhohemi në përpjekjet për të ndalur terrorin. Të gjitha përpjekjet i kemi përqëndruar tek Hamasi, në mënyrë që të bindim Hamasin, Xhihadin Islamik dhe organizata të tjera terroriste se ka ardhur koha të braktisin terrorin”.

Zoti Powell përmendi thirjen e kryeministrit palestinez, Mahmud Abaz, në takimin e nivelit të lartë në Akaba për t’i dhënë fund kryengritjes së armatosur kundër Izraelit dhe tha se kushdo që pretendon se përfaqëson palestinezët dhe shpresat e tyre për krijimin e shtetit palestinez duhet t’u kushtojë vëmendje këtyre fjalëve. //kk//

XS
SM
MD
LG