Lidhje

Nuk ka dyshim se nën regjimin e Sadam Huseinit, Iraku kishte armë biologjike dhe kimike - 2003-06-15


Nuk ka dyshim se nën regjimin e Sadam Huseinit, Iraku kishte armë biologjike dhe kimike dhe aftësinë për të prodhuar armë të tjera. Iraku i përdori armët kimike gjatë luftës me Iranin në periudhën 1980-1988. Sadam Huseini i përdori armët kimike madje edhe kundër popullit irakian, përfshirë sulmet e marsit të vitit 1988 kundër qytetit kurd Halabja.

Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, thotë se regjimi i Sadam Huseinit kishte armë kimike dhe biologjike shumë kohë para se Iraku të çlirohej nga koalicioni i udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara.

“Ata e kanë pranuar se kishin armë biologjike. Dhe ata kurrë nuk dhanë llogari se çfarë kanë bërë me këto armë. Dhe ky nuk është gjykimi vetëm i administratës aktuale amerikane, por edhe i asaj të Presidentit Clinton. Ky është gjykimi i një numri vendesh në botë se Iraku i kishte këto armë. Kur ne miratuam njëzëri rezolutën 1441, ai ishte gjykim unanim i Këshillit të Sigurimit se Iraku kishte shkelur detyrimet e tij”.

Shtetet e Bashkuara, tha zoti Powell, po dërgojnë një grup të madh ekspertësh në Irak për të gjetur armët kimike dhe bilogjike irakiane.

“Ekspertët do të kërkojnë gjithandej. Ata do të shfrytëzojnë të gjitha dokumentat. Do të intervistojnë persona të ndryshëm, dhe unë do të përmendja laboratorët e lëvizshëm biologjikë që kemi gjetur. Njerëzit po pyesin nëse me të vërtetë këta janë laboratorë të lëvizshëm biologjikë. Po, ato janë, është përgjigja”, thotë Sekretari Powell.

Regjimi i Sadam Huseinit ishte bërë mjeshtër i mashtrimit. Por armët kimike dhe biologjike të Irakut do të zbulohen. Dhe po qe se armët kimike dhe biologjike janë larguar nga Iraku, do të gjenden dhe do të shkatërrohen.

//ze//

XS
SM
MD
LG