Lidhje

Autoritetet shqiptare bëjnë përgatitjet e fundit për Takimin e Selanikut - 2003-06-18


Në Tiranë, zyrtarët shqiptarë po bëjnë përgatitjet e fundit për pjesëmarrje në Takimin e nivelit të lartë të Bashkimit Evropian që do të zhvillohet në Selanik të Greqisë. Komisioni parlamentar i integrimit thirri sot për t’u këshilluar ministrin e Integrimit Sokol Nako rreth argumentave që delegacioni shqiptar do të diskutonte në Selanik.

Shqipëria po shkon në Takimin e nivelit të lartë të Bashkimit Europian në Selanik me një vullnet të konsoliduar politik për të arritur rezultatet e reformave të kërkuara nga BE, forcimin e dialogut politik, dhe me paraqitjen e nevojave për një zhvillim më të madh shoqëror dhe ekonomik.

Ministri i integrimit, Sokol Nako, thotë se specialistët e BE i kanë mirëpritur propozimet e palës shqiptare.Ai i bëri këto komente gjatë një mbledhjeje me komisionin parlamentar të integrimit. Zoti Nako theksoi se, me një shpejtësi më të madhe të reformave, BE do të ndihmojë edhe më shumë Shqipërinë dhe rajonin.

“Bëhet fjalë për një shumë mbi 200 e ca milionë Euro për të gjithë rajonin në kuadrin e asistencës për 3 vitet e ardhshme, por kjo nuk e mbyll derën për të kërkuar programe asistence të reja. Theksoj faktin që me hedhjen e hapave më të shpejta nga ana e vendeve, konkretisht Shqipërisë, në procesin e stabilizim- asociimit është plotësisht e mundur që BE të krijojë programe të vecanta asistence” - tha zoti Nako. Zoti Nako tha se Takimi i nivelit të lartë i BE në Selanik nuk është një shportë me dhurata, por aty BE do t’i tërheqë vëmendjen vendeve të rajonit për cështjet më shqetësuese. “Tërhiqet vëmendja për përmirësimin dhe intensifikimin e përpjekjeve që vendet e rajonit duhet të bëjnë për të përmirësuar situatën në lidhje me çështjet e drejtësisë dhe rendit: në veçanti për luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale dhe korrupsionit. Duke kushtëzuar suksesin në këtë luftë me ecurinë e mëtejshme dhe intensifikimin e procesit të stabilizim- asociimit, parakusht edhe për një zhvillim më intensiv eknomik për këto vende” - tha zoti Nako.

Komisionerët u interesuan për ecurinë e bisedimeve me BE për marrëveshjen e stabilizim- asociimit. Kryetari i komisionit parlamentar të integrimit, Fatmir Mediu, thotë se BE po shfaq një gadishmëri më të madhe për të ndihmuar vendet e rajonit, dhe Shqipëria duhet të dijë të përfitojë me projekte të ndryshme. “Për Samitin e Selanikut, në radhë të parë ka një reflektim të BE për të qenë më konkret dhe më asistues karshi vendeve të ballkanit perëndimor në procesin e stabilizim- asociimit, dhe kjo vihet re në një seri angazhimiesh të reja të BE, qoftë edhe në aspektin financiar. Shqetësimi ynë është që asistenca që marrim nga BE është gati sa gjysma e asaj që kemi marrë në një program të mëparshëm - PHARE, kurse me programin CARDS është një asistencë teknike sa gjysma, por edhe kjo e orientuar në disa sektorë të ekonomisë që janë shumë të ndjeshëm” - tha zoti Mediu. Komisioni kërkoi që ekspertët e palës shqiptare të studiojnë më mirë mundësitë e lehtësirave për një qarkullim më të lirë të njerëzve në rajon, si dhe interesimin për të përfshirë edhe çështjen e Kosovës. Deputetët i kërkuan ministrit Nako që qeveria të shtojë rezultatet në luftën kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar, të cilat janë temë kryesore në bisedimet me institucionet perëndimore.

XS
SM
MD
LG