Lidhje

Paqja në Lindjen e Mesme kërkon angazhimin e të gjitha palëve - 2003-06-18


Palestinezët kanë filluar të marrin në dorë të ardhmen e tyre. Kryeministri Mahmud Abaz ka pohuar se terrorizmi nuk është mjeti për të arritur krijimin e shtetit palestinez, por një pengesë vdekjeprurëse para tij.

Synimi, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Riçard Bauçer, është i qartë:

“Të gjitha palët në rajon duhet të bëjnë ç’të munden për të ndalur dhunën. Ne u bëjmë thirje vendeve që duan të shohin paqe, të luftojnë terrorin, t’u presin fondet organizatave si Hamasi, të izolojnë ata që janë të gatshëm të vrasin për t’i prerë rrugën arritjes së paqes,” tha zoti Bauçer.

Hapi i parë i domosdoshëm në këtë drejtim është reformimi i Autoritetit Palestinez. Një udhëheqje palestineze që i kundërvihet me vendosmëri terrorit do të ngjallë besimin se Izraeli ka një partner të vërtetë për paqen. Por edhe vendet arabe kanë përgjegjësitë e tyre. Ata duhet t’i japin fund mbështetjes së tyre për grupe si Hamasi dhe Hezbollahu, të cilat përbëjnë pengesë për paqen. Ata duhet të ndalin gjithashtu nxitjen e urrjetjes për Izraelin dhe hebrenjtë. Izraelitët duhet t’i trajtojnë më mirë palestinezët dhe të zgjidhin çështjen e vendbanimeve.

Roli i Shteteve të Bashkuara në procesin e paqes në Lindjen e Mesme, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Riçard Bauçer, është i qartë:

“Ne po përpiqemi të punojmë me të dyja palët, si me izraelitët ashtu edhe me palestinezët. Ne bashkëpunojmë me të dyja palët për t’i ndihmuar të arrijnë synimet e tyre në një mënyrë paqësore. Ne nuk po mbajmë qëndrim asnjanës ndaj terrorizmit,” tha zoti Bauçer.

Siç është shprehur Këshilltarja për Sigurimin Kombëtar Kondoliza Rais, “Terrori, kudo që gjendet ai, kudo që zbatohet, duhet të çrrënjoset dhe të shkatërrohet.”

//ad//

XS
SM
MD
LG