Lidhje

Arrestohet sekretari personal i Sadam Husseinit - 2003-06-18


Ushtria amerikane thotë se ka arrestuar personin numër 4 në listën e Shteteve të Bashkuara për eksponentët më të kërkuar në Irak. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, tha se arrestimi i Abid Hamid Mahmudit është me shumë rëndësi.

Zoti Mahmud shërbente në postin e sekretarit personal të udhëheqësit të përmbysur irakian, Sadam Husein. Vetëm Sadam Husseini dhe dy djemtë e tij janë tri personat në krye të listës së ish zyrtarëve më të kërkuar në Irak.

Zyrtarët thonë se zoti Mahmud mund të japë informacion rreth armëve irakiane të shkatërrimit në masë. Komanda Qendrore amerikane tha dje se Abid Hamid Mahmudi u kap në Irak të hënën.

Po ashtu dje, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, tha se forcat amerikane në Irak po spastrojnë xhepat e vogla të rrezistencës përgjegjëse për sulmet ndaj ushtarëve amerikanë. Zoti Rumsfeld tha se personat besnikë të Saddam Husseinit janë ata që fshihen pas këtyre veprimeve me dhunë, gjatë të cilave janë vrarë më shumë se 40 trupa amerikane që nga përfundimi i luftës në Irak.

Trupat amerikane kanë ndaluar qindra njerëz gjatë bastisjeve të disa ditëve të fundit. Gjatë një bastisjeje dje, gjeneral-majori amerikan, Ray Odierno, tha se trupat gjetën 8,5 milionë dollarë në afërsi të qytetit Tikrit, vendlindjes së Sadam Huseinit. Ai tha se paratë mund të jenë përdorur për të paguar mercenarë për të sulmuar ushtarët amrikanë.//ic//

XS
SM
MD
LG