Lidhje

Bregu Perëndimor: Izraelitët shembin një vendbanim të banuar hebraik - 2003-06-19


Ushtarët izraelitë filluan sot të shëmbin një vendbanim hebraik në Bregun Perëndimor, megjithë protestat nga kolonët izraelitë në atë zonë. Përleshjet shpërthyen sot, ndërkohë që një ekip ushtarësh e policësh izraelitë filloi çmontimin e tendave dhe strukturave të përkohëshme në vendbanimin e vogël, në afërsi të qytetit palestinez, Nablus. Tre kolonë dhe të paktën 4 anëtarë të personelit të sigurimit u plagosën në këto përleshje.

Rreth 200 kolonë kishin vendosur makina në rrugë dhe u kishin vënë zjarrin shkurreve, në përpjekje për të mos lejuar ushtarët të shkonin në vendbanimin Mitzeh Yitzhar. Kjo është hera e parë që Izraeli përpiqet të prishë një venbanim pa njerëz në Bregun Perëndimor, në bazë të planit të ri të paqes për Lindjen e Mesme.

Ndërkohë, grupi ekstremist palestinez, Xhihadi Islamik, mori përgjegjësinë për një shpërthim të sotëm vetëvrasës që shkaktoi vdekjen e pronarit izraelit të një ushqimoreje. Autori i sulmit aktivizoi lëndët plasëse në ushqimore, në afërsi të qytetit verior izraelit Beit Shean. Policia izraelite thotë se dyshon që bomba shpërtheu para kohe dhe se objektivi i sulmuesit ishte një stacion autobuzi aty pranë.// lk //

XS
SM
MD
LG