Lidhje

Nano: Acarimi i debatit politik nuk do ta prishë klimën - 2003-06-20


Bashkimi Evropian synon të vendosë marrëdhënie të reja me vendet ballkanike përmes një plani ambicioz për anëtarësimin e këtyre vendeve ndoshta deri në vitin 2010. Por cili do të jetë vendi i Shqipërisë në këtë nismë të re? Sa mund t’i përmbushë ajo kërkesat në këtë proces? Kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, i intervistuar nga Zëri i Amerikës, thotë se vendi do të vazhdojë të investojë më shumë energji për reformat që konsolidojnë institucionet. Zoti Nano i bëri komentet nga Selaniku, ku ndodhet për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të Bashkimit Evropian.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano, plani i BE-së natyrisht që e rrit ndjeshëm kërkesën ndaj Shqipërisë. Çfarë mund të bëj më shumë qeveria juaj sidomos në fusha të tilla problematike si lufta kundër krimit të organizuar, korrupsioni, zbutja e varfërisë, konsolidimi i shtetit juridik?

Kryeministri Nano: Besoj se ne kemi të njëjtat ambicje si ato të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë. Nga kjo pikëpamje unë besoj se Qeveria e Shqipërisë dhe institucionet e tjera përfaqësuese të vendit duhet të vazdojnë të investojnë më shumë energji për reformat që konsolidojnë institucionet që i bëjnë ato më funksionuese dhe që nxisin të bashkëveprojnë më mirë jo vetëm me njëra-tjetrën por edhe me institucionet përfaqësuese të Bashkimit Europian që tashmë do të shtojnë investimin njerëzor dhe institucional në Shqipëri dhe në vende të tjera të rajonit, ekzaktësisht për të lufutar dobësitë e sistemit në tranzicion, dobësistë e rajonit, sepse vendet, shoqëritë dhe kufijtë e vendeve të Ballkanit janë ende realisht vulnerabël ndaj krimit të organizuar trafiqeve, ndërsa sistemi është vulnerabël ndaj korrupsionit dhe besoj se jemi në rrugën e duhur jo vetëm nga pikëpamja e orientimit por edhe e investimit të legjislativit dhe të ekzekutivit dhe të klimës politike gjithashtu, me të cilën edhe shoqëria civile, aktorët joqeveritarë, po gjejnë kushte të përshtatshme për të kontribuar në të njëjtat prioritete.

Zëri i Amerikës: Z. Nano sapo përmendët kushtet politike, ose klimën politike në Shqipëri, në të cilën kohët e fundit po vihen re tensione, debati është i acaruar. A mos është kjo një shenjë e keqe se Shqipëria mund të kthehet në situatën e 3-4 viteve më parë?

Kryeministri Nano: Unë jam i bindur se vendi, insitucionet politika, edhe marrëdhëniet me botën e zhvilluar dhe organizatat përfaqësuese të saj, me BE-në, NATO-n, Shtetet e Bashkuara, etj., kanë hyrë në një klimë të shëndetshme, kanë hyrë në një proçes të pakthyeshëm, veçanërisht nga pikëpamja e stabilitetit politik dhe e konsensusit të politikës shqiptare për prioritetet e përafrimit dhe të integrimit me këto institucione të botës moderne. Unë besoj se kjo shfaqet edhe në maturinë që ka fituar jeta parlamentare, që ka fituar raporti dhe dialogu politik midis forcave përfaqësuese të këtij trendi progresiv dhe incidentet e vogla nuk kanë arritur në 11 muajt e fundit ta trondisin këtë stabilitet. Për pasojë unë jam optimist se edhe ato që duken si incidente të ditës nuk do të mund të prishin motin.

Zëri i Amerikës: Z.Nano, këto ishin deklarata të përgjithshme pak a shumë, por konkretisht dy nga kushtet që kishte vënë BE për fillimin e bisedimeve të asociim stabilizimit me Shqipërinë ishin reforma e kodit zgjedhor, e cila u miratua dhe ligji për pronat i cili duhej të mbyllej në 1 mars por ende mbetet i hapur. A ju shqetëson fakti që çështja e pronave ende mbetet e pazgjidhur?

Kryeministri Nano: Natyrisht më shqetëson dhe ky është një shqetësim instiucional dhe politik. Ne jemi tashmë me duar të lira pas kryerjes me sukses të reformës zgjedhore, për t’u futur në mënyrë të bashkërenduar në reformën e pronës, në zgjidhjen e segmenteve të fundit të pronarëve që nuk kanë arritur të kënaqen me tranzicionin dhe reformat e tregut imobiliar dhe besoj se brenda këtij sesioni parlamentar, brenda 31 korrikut, ne do të mundim të realizojmë me konsensus politik edhe këtë produkt të rëndësishëm.

XS
SM
MD
LG