Lidhje

BE-ja garanton anëtarësimin për vendet e Ballkanit - 2003-06-21


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe homologët e tyre nga Ballkani zhvilluan të shtunën bisedime në Greqi, me shpresën për të përshpejtuar integrimin e Evropës juglindore në pjesën tjetër të kontinentit.

Në takimin njëditor të nivelit të lartë, i pari i këtij lloji që mbahet në qytetin turistik grek të Porto Carrasit, merrnin pjesë krerët e shteteve dhe qeverive të 15 vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë dhe Serbisë e Malit të Zi.

Pesë vendet e Ballkanit Perëndimor morën garanci nga udhëheqësit e Bashkimit Evropian se një ditë do të mund të bëhen pjesë e kësaj organizate. Por shumë vëzhgues thonë se ata i pret një betejë e gjatë për të realizuar me sukses reformat e nevojshme politike dhe ekonomike.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u thanë homologëve të tyre ballkanas se e ardhmja e rajonit më të paqëndrueshëm të Evropës varet nga fakti nëse ai mund të integrohet në Bashkimin Evropian në vitet e ardhshme apo jo.

Bashkimi Evropian premtoi 240 milionë dollarë shtesë për rajonin, përveç 7 miliardë dollarëve për të cilat ishte angazhuar më parë. Por paralajmëroi pesë shtetet e Ballkanit, Shqipërinë, Bosnjen, Kroacinë, Maqedoninë dhe Serbinë dhe Malin e Zi, se korrupsioni i shfrenuar dhe krimi i organizuar mbeten pengesa të mëdha për anëtarësimin e tyre në organizatën evropiane.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana deklaroi se qeveria e Beogradit ra dakord që zhvillojë bisedime muajin e ardhshëm me përfaqësues të Kosovës, çka mund të ishte një hap i rëndësishëm drejt të ardhmes së saj. Por diplomatët thonë se në bisedime nuk do të shtrohet çështja e statusit përfundimtar.

Ndërkohë Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Michael Steiner tha të shtunën në Prishtinë se Kosova është e gatshme për bisedime me Beogradin për zgjidhjen e cështjeve teknike.

Ai i bëri këto komente pas kthimit nga takimi i Selanikut së bashku me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova dhe kryeministrin Bajram Rexhepi. Të tre zyrtarët e lartë e vlerësuan me rëndësi të posacme pjesëmarrjen ne këtë takim.

Kosova, ashtu si edhe pjesa tjetër e Ballkanit perëndimor, është goditur rëndë nga rivalitetet etnike, të cilat ende nuk janë shuar, megjithëse konfliktet që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë kanë marrë fund. //kk//

XS
SM
MD
LG