Lidhje

Bashkimi Evropian angazhohet për të shqyrtuar anëtarësimin për 5 vende të Ballkanit Perëndimor - 2003-06-22


Bashkimi Evropian, në takimin 6-mujor të udhëheqësve të saj dje në Greqi, shprehu angazhimin për të shqyrtuar anëtarësimin eventual për 5 vende, që janë cilësuar se Ballkani Perëndimor e që janë Shqipëria, Bosnja, Kroacia, Maqedonia ai dhe Sërbia e Mali i Zi.

Ministri i jashtëm i Bosnjes ishte më optimisti nga të gjithë. Ai deklaroi se Evropa ka dërguar një mesazh të qartë se vendet e Ballkanit perëndimor do të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.

Por udhëheqës të tjerë ballkanikë, që morën pjesë në takim, u treguan më të matur në shprehjen e mendimeve të tyre. Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, tha se tani duket qartë që anëtarësia në Bashkimin Evropian varet nga vetë vendet ballkanike. Para se të anëtarësohen, këto vende duhet të përmbushin disa kërkesa shumë të hollësishme dhe të gjithanshme.

Në maj të vitit të ardhshëm, Bashkimi Evropian do të zgjerohet me 10 anëtarë të rinj, 8 prej të cilëve janë nga Evropa qëndrore dhe lindore. Bullgarisë dhe Rumanisë u është premtuar anëtarësia në këtë institucion në vitin 2007. Ndërsa disa vende të Ballkanit perëndimor shpresojnë të bëhen anëtare deri në vitin 2007, pak analistë mendojnë se një gjë e tillë është e mundur.

Kryeministri sërb Zoran Zivkoviç u kthye nga Greqia në një gjendje të trishtuar. Ai tha se ata që pritën mrekullira në Selanik kishin pritur tepër shumë. Mesazhi, tha ai, ishte i qartë, shpejtësia e anëtarësimit në Bashkimin Evropian varet nga qeveritë individuale, ndërkohë që kushtet e anëtarësimit janë të ashpra. Kryeministri Zivkoviç shprehu kënaqësi që Beogradi së shpejti do të fillojë bisedimet e drejtpërdrejta me udhëheqjen shqiptare të Kosovës. Beogradi kërkon që bisedimet të përqëndrohen në çështjet e sigurimit dhe të kthimit të refugjatëve sërbë në Kosovë.

Në takimin e djeshëm, udhëheqësit e Bashkimit Evropian e bënë të qartë se para se të anëtarësohen në këtë bashkim vendet e Ballkanit perëndimor duhet të vendosin me të vërtetë shtetin juridik, të ndalojnë korrupsionin dhe të luftojnë krimin e organizuar. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, tha në Greqi se lufta kundër trafikut të paligjshëm njerzor dhe drogës duhet të jetë përparësia kryesore e rajonit. Ai shtoi se fitorja e këtyre betejave kërkon bashkëpunim mes vendeve përkatëse, atë lloj bashkëpunimi për të cilin po këmbëngul Bashkimi Evropian.

//ze//

XS
SM
MD
LG