Lidhje

Vritet një ushtar amerikan në Irak gjatë një sulmi me granadë - 2003-06-22


Një ushtar amerikan u vra nga një sulm me granadë kundër një autokolone të ushtrisë në jug të Bagdadit. Ushtria amerikane njoftoi se të paktën një ushtar u plagos.

Sulmi u krye një ditë pasi një shpërthim dhe zjarri masiv, që pasoi, shkaktuan mbylljen e një tubacioni nafte të Irakut në perëndim të Bagdadit.

Shpërthimi, i cili ndodhi dje vonë, u pasua me flakë të mëdha që dukeshin në qiell afër qytetit Hit, 150 kilometra larg kryeqytetit Bagdad.

Nuk pati njoftime të menjëhershme rreth shkakut të shpërthimit, për të cilin një zëdhënëse e ushtrisë amerikane tha se kanë filluar hetimet. Nuk ka njoftime për ndonjë viktimë.

Po dje më herët, në një incident tjetër afër qytetit Hit, dy ushtarë amerikanë të patrullës u plagosën kur automjeti i tyre hasi në një minë toke.

Ndërkaq, sot Iraku u kthye përsëri në tregun e naftës, duke eksportuar naftën e parë të papërpunuar, që prej ndërhyrjes së forcave të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, në muajin mars.

Eksporti u ndërpre në muajin mars, për shkak të luftës për të përmbysur nga pushteti Sadam Huseinin.// lk //

XS
SM
MD
LG