Lidhje

Duke kujtuar kolegun tim Shefki Morina - 2003-06-24


Dhe tani më lejoni një koment personal për t’i thënë lamtumirë kolegut tim Shefki Morina. Shefkiu vdiq papritur të premten në Prishtinë nga një goditje në zemër. Unë pata rastin të takohem me Shefkiun për herë të fundit para 2 javësh gjatë një vizite disa ditore në Kosovë.

Me Shefkiun udhëtuam në qytete të ndryshme dhe në Prizren, më 4 qershor, unë i bëra Shefkiut këto dy fotografi. Ka mundësi që këto të jenë dy fotografitë e fundit që ai ka dalë. Zëri i Amerikës në mbulimin e ngjarjeve drejtohet nga një moto sa e thjeshtë aq edhe sublime:

Lajmet mund të jenë të mira, ato mund të jenë të këqia, por ne do t’ju themi gjithmonë të vërtetën. Dhe Shefkiu gjatë gjithë punës së tij si korrespondent i Zërit të Amerikës, si para edhe pas luftës në Kosovë, u udhëhoq nga ky parim i lartë. Ai raportoi nga Prishtina gjatë ditëve të luftës derisa gjendja u bë e pamundur për të qëndruar më tej. Si shumë të tjerët ai u largua dhe erdhi për pak kohë në Shtetet e Bashkuara, ku kishte mundësi të qëndronte si refugjat.

Por me të përfunduar lufta ai u kthye menjëherë në Kosovë. Jeta e Shefkiut nuk mund të shkëputej nga Kosova. Misionin e tij në jetë ai e shihte të lidhur ngushtë me vendin e tij. Pas luftës gazetaria në Kosovë u ndesh me sfida të reja. Armiku nuk ishte më i lehtë të identifikohej. Shpesh herë armiku tani ishte mes radhëve të vetë komunitetit shqiqptar.

Por edhe në këto situata të reja, Shefkiu tregoi profesionalizëm të lartë, duke mbuluar ngjarje delikate. Në se Zëri i Amerikës është sot popullor në Kosovë, kjo i kushtohet në një masë të madhe punës së kolegut tonë Shefki Morina.

Veç familjes, mungesën e Shefkiut do ta ndiejmë edhe ne të gjithë kolegët e tij. Unë personalisht humba një mik të ngushtë.

XS
SM
MD
LG