Lidhje

Këshilli i Evropës kritikon Shtetet e Bashkuara për Gjykatën Penale - 2003-06-25


Këshilli i Evropës i ka kritikuar Shtetet e Bashkuara për trysninë që ka ushtruar ndaj vendeve të tjera për t’i përjashtuar qytetarët amerikanë nga ndjekja penale në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve.

Asambleja e Këshillit të Evropës, gjithashtu shprehu keqardhje ndaj veprimit të kohëve të fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për përjashtimin e paqeruajtësve të OKB-së nga ndjekja penale e Gjykatës Ndërkombëtare.

Kongresi amerikan ka urdhëruar që Shtetet e Bashkuara të pakësojnë ndihmën ushtarake ndaj atyre vendeve, të cilat deri më 1 korrik nuk firmosin marrëveshjet për përjashtimin e qytetarëve amerikanë nga ndjekja penale e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve.

Shqipëria, Bosnje-Hercegovina dhe Gjeorgjia janë ndër ato vende, të cilat tashmë i kanë firmosur marrëveshje të tilla me Shtetet e Bashkuara.

Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve e cila u krijua në mars të këtij viti në Hagë, ka juridiksionin të ndjekë penalisht krimet e luftës dhe shkeljen e të drejtave të njeriut.

Washingtoni druhet se mos amerikanët jashtë vendit mund të bëhen objekt persekutimi me motive politike nga ana e vendeve që kanë qëndrim armiqësor ndaj Shteteve të Bashkuara dhe se ndaj tyre mund të ngrihen akuza nga kjo Gjykatë Ndërkombëtare Penale.

Vitin e Kaluar, Shtetet e Bashkuara u larguan nga Marrëveshja e Romës e vitit 1998, ku u mor vednimi për krijimin e Gjykatës së Re.//kk//

XS
SM
MD
LG