Lidhje

ShBA: Siria duhet të ndalë përkrahjen për terrorizmin - 2003-06-26


Qeveria e Shteteve të Bashkuara po vazhdon të ushtrojë trysni mbi qeverinë siriane që të heqë dorë nga mbështetja e terroristëve palestinezë që veprojnë në Siri dhe në pjesën libaneze të kontrolluar nga Siria. Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell tha se deri tani hapat e ndërmarra nga Siria janë “krejt të pamjaftueshme”.

Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar Sirinë si shtet përkrahës të terrorizmit nisur nga mbështetja që Siria ofron për grupet terroriste palestineze dhe grupet e tjera terroriste në rajon. Ky cilësim u përsërit kohët e fundit.

Gjatë vizitës së tij në Damask, Sekretari i Shtetit Powell ia bëri të qartë presidentit të Sirisë Bashar Asad se mbështetja e Sirisë për terrorizmin duhet të marrë fund:

“Mesazhi im drejtuar presidentit sirian Bashar Asad, tha zoti Powell, është se politikat që keni ndjekur në të kaluarën nuk do t’ju ndihmojnë të përparoni drejt së ardhmes. Duhet t’i jepet fund përkrahjes ndaj grupeve terroriste, pranisë në Damask të organizatave që vazhdojnë të nxisin akte terroriste dhe që vështirësojnë përparimin e procesit të paqes në Lindjen e Mesme. Zyrat e këtyre organizatave duhet të mbyllen.”

Por, në një intervistë të datës 9 qershor në kanalin televiziv al-Arabia, presidenti i Sirisë Asad vazhdoi pretendimet falso se zyrat e organizatat terroriste si Hamasi dhe Xhihadi Islamik po kryejnë vetëm “veprimtari informative” në Siri dhe për pasojë “nuk kishte arsye për mbylljen e zyrave të tyre.”

Derisa Siria t’i japë fund përkrahjes së saj për terrorizmin, tha Sekretari Powell, “nuk do të ketë përmirësim të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve, gjë që në fund të fundit do të ndikojë në interesat e Sirisë. Rajoni po ndryshon. Sadam Hyseni dhe regjimi i tij ka rënë. Udhëheqësit e Lindjes së Mesme janë të angazhuar për suksesin e procesit të paqes.” “Siria mund të kontribuojë në këtë proces,” tha sekretari Powell ose “të vazhdojë të jetë një regjim që mbështet terrorizmin, gjë që do të shoqërohet me pasoja.”

//ad//

XS
SM
MD
LG