Lidhje

Presidenti Putin në Londër - 2003-06-26


Kryeministri britanik, Tony Blair, tha se Britania dhe Rusia i kanë lënë mënjanë mosmarrëveshjet rreth Irakut dhe po bashkëpunojnë ngushtë në arenën ndërkombëtare.

Zoti Blair e bëri këtë koment në një konferencë shtypi në Londër, pas bisedimeve me presidentin rus Vladimir Putin. Udhëheqësi rus, i cili e kundërshtoi me forcë luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, tha se Rusia është tani e gatshme të japë ndihmesën e saj në procesin e rindërtimit të Irakut.

Kryeministri Bler tha se bisedimet e tij me Presidentin Putin u u përqendruat tek çështje të tilla si terrorizmi ndërkombëtar, armët e shkatërrimit në masë, procesi i paqes në Lindjen e Mesme, gjendja në Irak, Iran, Indi, Pakistan dhe në republikën separatiste të Çeçenisë.

Rusia dhe Britania nënshkruan të enjten edhe protokollin e bashkëpunimit për ndërtimin e një tubacioni nënujor për transportimin e gazit nga Rusia në Britani.

B.E. vendos të pakësojë subvencionet bujqësore

Ministrat e Bujqësisë të Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje për të shkurtuar subvencionet për bujqësinë, një veprim që synon forcimin e pozicionit të Evropës në bisedimet për tregëtinë botërore në shtator.

Komisioni Evropian ka kërkuar ndryshime të ndjeshnme në subvencione, që u kushtojnë qeverive rreth 50 miliardë dollarë në vit, afro gjysma e gjithë buxhetit të Bashkimit Evropian.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera e kanë kritikuar programin e subvencioneve si një shkelje të rregullave ndërkombëtare të tregëtisë.

XS
SM
MD
LG