Lidhje

Analisti Lubonja e sheh si të rënduar situatën në Partinë Socialiste - 2003-06-27


Analisti shqiptar Fatos Lubonja tha të premten se përplasja brenda Partisë Socialiste është serioze, për shkak të situatës që ndodhet kjo parti. Para një mbledhje të kryesisë së Partisë Socialiste, ku u diskutua edhe për kritikat e zëvendës kryeministrit Meta ndaj mënyrës së drejtimit të kryeministrit Nano, zoti Lubonja dha një intervistë për Zërin e Amerikës. Ai tha se problemi i madh që shtrohet përpara është a mund të jetë i suksesshëm zoti Meta në përpjekjen e tij për të çuar politikën shqiptare një hap përpara, apo përsëri do të gjenden kompromiset e zakonshme që janë gjetur brenda Partisë Socialiste.

Zëri i Amerikës: Zoti Lubonja, sa serioze mendoni se është përplasja e re midis zotit Nano dhe zotit Meta dhe çfarë pritet nga mbledhja e kryesisë së Partisë Socialiste sonte?

Fatos Lubonja: Mendoj se mbi të gjitha serioze është gjendja në vend, e cila ka çuar në këtë përplasje, do të thoja unë. Ndërsa sesa serioze është përplasja kjo është një çështje me serioze, do të thoja, sepse Partia Socialiste nga njëra anë ndodhet para zgjedhjeve lokale, të cilat si të thuash kërkojnë unitetin dhe nga ana tjetër ndodhet përpara situatës kur një grup brenda PS-së me në krye Metën, ndjen se nuk mund të shkohet më kështu në politikë, për të gjitha ato arsye që juve i thatë shumë mirë dhe që kanë të bëjnë - sepse reforma është një term shumë i përgjithshëm - por kanë të bëjnë tek e fundit me kalimin e politikës shqiptare nga shteti i personave dhe i grupeve dhe i klaneve shpeshherë të lidhura me krimin, në shtetin e ligjit. Besoj se kjo është tentativa. Problemi i madh që shtrohet përpara është a mund të ketë sukses Meta në këtë përpjekje të tij për të çuar politikën shqiptare një hap përpara, apo përsëri do të gjenden kompromiset e zakonshme që janë gjetur brenda Partisë Socialiste. Një ndër të fundit ishte edhe kompromisi që u arrit për komisionin Rama, ku megjithëse akuzat kanë qenë nga vetë socialistët për korrupsion, tek e fundit u bashkuan të gjithë në mbrojtje të kësaj figure, sepse kjo figurë ka të bëjë me pushtetin e tyre në zgjedhjet lokale dhe në përgjithësi me pushtetin. Pra problemi i madh ka të bëjë me këtë se mundet apo s’mundet zoti Meta të bëjë një hap tani në këtë moment kaq delikat në Partinë Socialiste. Parashikimet janë të disallojshme. Gjithsesi është më mirë vonë se kurrë thotë një fjalë. Unë mendoj se i duhet shkuar kësaj pune përpara, por e kam të vështirë si analist të them për arsyet që shtjellova se a do të mundet apo s’do të mundet të bëhet një çështje serioze kjo përplasje dhe të sjellë një hap pozitiv në politikën shqiptare në përgjithësi.

Zëri i Amerikës: Por zoti Lubonja, sa parimore janë akuzat e zotit Meta. Në shumë aspekte, përplasja e re është e ngjashme me atë të vitit të kaluar: Zoti Meta ka ngritur pothuajse të njëjtat akuza ndaj zotit Nano, pra për arrogancë politike, nepotizëm, mospërfillje të forumeve të partisë, për kontroll mbi median e të tjera, që Nano i kishte ngritur vjet kundër zotit Meta. A mendoni se këto çështje që ngrihen mes tyre shërbejnë për të mbuluar atë që përbën thelbin e mosmarrëveshjeve, luftën për pushtet?

Fatos Lubonja:Pa dyshim ka, shumë të vërteta në këto që thoni juve, por nganjëherë edhe politika ecën përpara jo nëpërmjet idealeve, si të thuash të përqafuara nga një krah, por thjesht nga pragmatizmi dhe nga nevojat. Kjo është të paktën shpresa se mund të hidhet një hap. Në fakt Nano u mbështet shumë më tepër se sa ç’mbështetet Meta, para një viti, kur filloi luftën për katarsis. Edhe unë kam qenë një nga mbështetësit e tij. Ndërkaq Meta në këtë situatë nuk mendoj se ka atë mbështetje, në kuptimin e elitës politike, qoftë edhe mediatike, por nga ana tjetër problemi është rënduar, pra zhgënjimi që pësoi publiku me Nanon, që në vend të katarsisit i thelloi ato probleme, të cilat ai vetë i kishte kritikuar, ngre përpara problemin që këtu janë edhe struktura të tjera më të thella që duhet të ndryshojnë. Pra nganjëherë, politikanët nuk janë si të thuash vetëm aktorë të këtyre lëvizjeve, por janë edhe instrumenta të strukturave kriminale që janë krijuar, që në një farë mënyre kanë kapur shtetin. A do jetë i zoti Meta të marrë pushtetin dhe ta çlirojë shtetin nga kapja që i ka bërë krimi, ky është një problem shumë i madh ku sigurisht duhet të hyjë në lojë edhe opozita dhe dinamika, dialektika politike shqiptare duhet të jetë pak më e gjerë sesa brenda kësaj partie, e cila siç thashë ka këtë kontradiktë të madhe brenda. Nga njëra anë do pushtetin dhe në anën tjetër do të pastrohet dhe të ndahet nga krimi. Janë dy gjëra që kundërshtojnë njëra tjetrën.

Zëri i Amerikës: Zoti Lubonja, përplasja e re u fillua nga zoti Meta e jo nga zoti Nano i cili duket se është i interesuar për ta frenuar konfliktin. Përse mendoni se zëvendës-kryeministri vendosi pikërisht në këto momente -- me një fjalë pas dështimit të marrëveshjes Nano-Berisha dhe në prag të fushatës për zgjedhjet vendore -- pse vendosi në këto momente që të konfrontohej me zotin Nano?

Fatos Lubonja: Jemi në fushën e hamendjeve, nuk mund ta thuash me 100 për qind, sepse unë mendoj se situata jo vetëm është rënduar dhe duhet ndërhyrë dhe nga ana tjetër mesa shikoj ky grup brenda Partisë Socialiste sheh një revan galopant të Nanos drejt kapjes si me thënë të pushtetit dhe kontrollit të të gjitha pushteteve, çka sipas mendimit tim, i bën këta të mendojnë që kur të vijë puna në Kongres, këta nuk do të kenë më asnjë shans për ta sfiduar Nanon dhe për t’ia marrë pushtetin. Prandaj mendoj se ndonëse kanë këtë vështirësi që kanë zgjedhjet përpara, e kanë luajtur këtë kartë për të qenë si të thuash disi më të fortë se sa ç’mund të jenë pas zgjedhjeve, në prag të Kongresit ndërkohë që Nano do të jetë fuqizuar shumë më tepër nëse fiton zgjedhjet, nëqoftëse nuk fiton zgjedhjet, tani ata i duan edhe këta vetë t’i fitojnë zgjedhjet, prandaj edhe situata është e komplikuar siç thashë. Nëse nuk fiton zgjedhjet Nano, atëherë për këta ndoshta do të ishte më e lehtë, por këta mendojnë se zgjedhjet duhet t’i fitojnë dhe mund t’i fitojnë dhe prandaj mendoj se e kanë zgjedhur këtë moment, që është si të thuash momenti i fundit për ta, sipas gjykimit të tyrë, por që ka siç thashë vështirësinë që përmenda.

Zëri i Amerikës: Zoti Lubonja, ju përmendët edhe rolin e opozitës, në përgjigje të pyetjes së parë. Çfarë roli shihni ju, çfarë roli po luan Partia Demokratike në këto situata të reja për socialistët?

Fatos Lubonja: Mendimi im është që opozita ka luajtur një rol të rëndësishëm denoncues për shumë nga fenomenet që kritikon sot edhe Meta, ndërkaq roli i opozitës në ndërtimin e një alternative kredibël, për të ndryshuar këtë situatë, nuk është në lartësinë e duhur sipas mendimit tim dhe kredibiliteti ka të bëjë me dy gjëra, ka të bëjë më së pari me një program të qartë, të detajuar se si mund të shkëputet politika shqiptare nga krimi dhe se si mund të çlirohet shteti shqiptar nga kapja që i ka bërë mafia dhe nga kjo pikëpamje mendimi im është se opozita nuk na ka paraqitur një program bindës dhe çështja tjetër e kredibilitetit lidhet me individët, me personalitetet e kësaj partie që tek e fundit mendoj se nuk mjaftojnë akoma për të krijuar besueshmërinë, pra besueshmëria e opozitës është ende e dobët ndërkohë që denoncimet që ajo ka bërë janë të forta dhe për mendimin tim janë të vërteta.

Zëri i Amerikës: Shkurtimisht në lidhje me gjendjen e medias dhe njoftimeve që botohen në shtypin shqiptar mbi përpjekjet nga politikanët për të kontrolluar median shqiptare. Sa serioze është një përpjekje e tillë nga politikanët?

Fatos Lubonja: Mendoj se është më tepër se serioze gjendja, sepse tashmë është e ditur për të gjithë në Shqipëri që nuk ka më media të pavarur, por ka media që i shërbejnë klaneve të caktuara politiko-mediatike-financiare, do t’i quaja, pra grumbullim të pushtetit mediatik, politik dhe financiar në grupe të caktuara, e vetmja hapësirë që krijohet është si të thuash nga konflikti mes këtyre grupeve që herë zbutet, herë acarohet, por mungon ai që vërtet mund të quhet pushtet i katërt i pavarur nga këto. Pra gazetarët në një farë kuptimi nuk përbëjnë pushtet të katërt, por janë instrumenta që përdoren herë nga njëri krah dhe nga një krah tjetër nga grupime të caktuara, pra ky është një nga problemet më të rënda të pushtetit të katërt, medias nga pushteti politik, nga pushteti financiar.//kk//

XS
SM
MD
LG