Lidhje

Presidenti Bush: paqja në Lindjen e Mesme  mund të arrihet vetëm kur Hamasi dhe organizata të tjera terroriste të shpërbëhen - 2003-06-29


Presidenti amerikan George Bush tha se paqja ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve mund të arrihet vetëm kur Hamasi dhe organizata të tjera terroriste në rajon të shpërbëhen.

“Çdo moment shprese në rajonin e Lindjes së Mesme, çdo hap pozitiv në drejtim të arritjes së paqes shoqërohet me më shumë akte vrasjesh nën petkun e flijimit. Ata që nuk duan paqen bëjnë ç’është e mundur të shkatërrojnë shpresat dhe dëshirat e atyre njerzve, që dëshirojnë të jetojnë në paqe.”

Që nga krijimi i tij në vitin 1987, grupi terrorist Hamas ka patur si qëllim kryesor shkatërrimin e shtetit izraelit dhe zëvëndësimin e tij me një shtet ekstremist mysliman. Për arritjen e këtij qëllimi, Hamasi ka vrarë qindra izraelitë, palestinezë, amerikanë dhe shtetas të tjerë. Mes grupeve të tjera terroriste të angazhuara për të shkatërruar Izraelin janë Xhihadi Islamik dhe Brigada e Martirëve al-Aksa.

Në një takim në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqësit e Bashkimit Europian, Presidenti Bush u bëri thirrje të gjitha vendeve që të bashkohen me Shtetet e Bashkuara në përpjekjet për të ndërprerë përkrahjen morale dhe financiare për Hamasin dhe organizatat e tjera terroriste.

“Dëshiroj t’ju kujtoj njerzve se ka tre palë të përfshira drejtpërdrejtë në rajonin e Lindjes së Mesme. Nga njëra anë është qeveria izraelite. Unë besoj se populli i izraelit e do paqen dhe i besoj qeverisë izraelite kur thotë se përkrah krijimin e një shteti paqësor palestinez, që do të jetonte përkrah shtetit izraelit. Nga ana tjetër është populli palestinez i cili është lodhur nga udhëheqja e dështuar, nga terrorizmi i cili po shkatërron shpresat e tij dhe nga jeta në varfëri dhe ai gjithashtu dëshiron një shtet palestinez në paqe. Terroristët si Hamasi janë pala e tretë, të cilët nuk duan një shtet palestinez në paqe dhe janë të vendosur të përdorin çdo mjet terrorist për shkatërrimin e tij. Që paqja të fitojë, Hamasi duhet të shpërbëhet.”

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Izraelin dhe Autoritetin Palestinez për ti dhënë fund kërcënimeve të Hamasit dhe organizatave të tjera terroriste.

//ze//

XS
SM
MD
LG