Lidhje

Presidenti Bush thotë se në Irak nuk do të kthehet tirania - 2003-07-02


Presidenti Bush tha se në Irak nuk do të kthehet tirania. Presidenti tha se besnikët e Sadam Husienit fshihen pas sulmeve thuajse të përditshme kundër forcave të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Ai shtoi se ata që kërcënojnë rendin dhe qëndrueshmërinë e Irakut do të përballen me shkatërrimin, ashtu si u përball regjimi i Sadam Huseinit.

Më parë, administratori amerikan për Irakun, Paul Bremer, tha se sulmet e kohëve të fundit janë shqetësuese, por nuk do të ndalojnë koalicionin që të sjellë në Irak lirinë dhe demokracinë.

Ndërkaq, mijëra irakianë që hidhnin parulla anti-amerikane morën pjesë në varrimin e viktimave të një shpërthimi që ndodhi natën në një xhami në perëndim të Bagdadit. Dëshmitarët irakianë thanë si shpërthimi u shkaktua nga një bombë ose raketë amerikane, por zyrtarët amerikanë e kanë kundërshtuar këtë akuzë.

Krye-inspektori i Kombeve të Bashkuara për armët në Irak, Hans Blix, doli zyrtarisht në pension pas një mandati 3 vjeçar në kërkimin e pasukseshëm të armëve të ndaluara të Irakut.

Në një letër, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, përshëndeti zotin Blix për qetësinë, hijeshinë dhe profesionalizmin e tij, veçanërisht kur u ndodh përballë asaj që ai e cilësoi si trysni e papërshkruar gjatë disa muajve të fundit.

Muajin e kaluar, zoti Blix paraqiti raportin e tij të fundit në Këshillin e Sigurimit lidhur me kërkimet për armë të shkatërrimit në masë në Irak. Në raport, zoti Blix shprehu zhgënjim që inspektorët e tij nuk patën mundësinë që të përfundonin punën në kërkim të armëve, para fillimit të operacionit ushtarak në Irak, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Ai i bëri thirrje Washingtonit që të përdorë ekspertizën, që ekipet e Kombeve të Bashkuara kanë fituar gjatë 10 vjet inspektime armësh në Irak. 75 vjeçari Blix tha se do ta kalojë pensionin në vendlindjen e tij, Suedi.

//ze//

XS
SM
MD
LG