Lidhje

Kryeministri Berluskoni i kërkon ndjesë kancelarit Shrëder - 2003-07-03


Kryeministri italian Silvio Berluskoni thotë se komentet e tij që e krahasojnë një politikan gjerman me një roje naziste ishin keqinterpretuar. Në një bisedë telefonike me kancelarin gjerman zoti Berluskoni shprehu keqardhje për fjalët që kishte thënë.

Pas kësaj bisede, kancelari gjerman Gerhard Shroder tha se ai e konsideronte incidentin të mbyllur. Zoti Shroder kishte këmbëngulur më parë që kryeministri italian të kërkonte ndjesë, pas komenteve të tij tronditëse në parlamentin evropian, kur sugjeroi se anëtari gjerman i Parlamentit evropian Martin Shultz do të ishte një kandidat i përsosur për rolin e një rojeje naziste të një kampi përqëndrimi në një film të ri.

“Me sa di unë, një regjizor po punon për një film mbi kampet naziste të përqëndrimit,” thëriti zoti Berluskoni. “Unë do t’ju rekomandoja ju për rolin e kapos, ju do të ishit i përsosur.”

Incidenti u pasua nga fërkime të forta diplomatike ndërmjet dy prej vendeve më të mëdha të Bashkimit Evropian, gjë që errësoi marrjen nga Italia të presidencës së radhës të Bashkimit.

Udhëheqësi italian i përshkroi komentet e tij si një shaka ironike, gjë që nuk ishte bërë e qartë në përkthim. Zoti Berluskoni i tha zotit Shroder se ishte fyer rëndë.

Kryeministri italian u ishte përgjigjur komenteve që i konsideroi si sulm personal nga politikani gjerman, i cili e kritikoi për konflikt interesash ndërmjet rolit të tij politik dhe kontrollit të tij të gjerë mbi mjetet e informimit.//ic//

XS
SM
MD
LG