Lidhje

Korrupsioni në Shqipëri mbetet një temë kryesore e debatit publik - 2003-07-04


Ndërsa në opinionin publik shqiptar vazhdon të mbizotërojë mendimi për një korrupsion në rritje në rradhët e administratës shtetërore, autoritetet dhe organizatat joqeveritare po i shtojnë gjithnjë e më tepër masat për ta goditur këtë dukuri në çdo nivel. Kritikat për korrupsion përqendrohen kryesisht mbi zyrtarët e nivelit të lartë shtetëror dhe mbi sistemin e drejtësisë.

Drejtues të organizatave të specializuara joqeveritare të kësaj fushe e shohin me skepticizëm pikërisht faktin që korrupsionin u takon ta godasin zyrtarët dhe gjyqtarët më të kritikuar për mosveprim ndaj tij. Këto organizata kanë kërkuar shpesh ndryshimin e ligjeve për tenderat dhe prokurimet e fondeve, ku mendohet se kryhet edhe pjesa dërrmuese e akteve korruptive.

Qeveria ka hartuar një strategji për luftën kundër korrupsionit, në qendër të së cilës është vendosur rritja e transparencës në punën e administratës, dhe thjeshtimi i ligjeve dhe procedurave burokratike nëpër të cilat kalojnë marrëdhëniet e nëpunësve me qytetarët dhe bizneset.

Përfaqësues të qeverisë kanë bërë thirrje për bashkëpunim të ngushtë me të gjithë institucionet shqiptare dhe ato ndërkombëtare jo vetëm për financimin e projekteve antikorrupsion por edhe në shkëmbimin e përvojave më të mira perëndimore.

Parlamenti parashikohet që brenda këtij muaji të miratojë ngritjen e një gjykate për krimet e rënda, ndërsa ministria e drejtësisë ka përgatitur një projektligj për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Reforma në drejtësi është një tjetër proces që synon veç të tjerash të pakësojë mundësitë e korruptimit të gjyqtarëve dhe sektorëve të tjerë të drejtësisë. Në sallat e gjykatave janë ende të pakta rastet e dënimeve për korrupsion të personave të ndryshëm që janë akuzuar.

Sistemi gjyqësor vlerësohet shpesh si i korruptuar jo thjesht për marrje rryshfetesh, por edhe për mosushtrim të pavarësisë, dhe tolerim të krimit ekonomik për shkak të ndikimit dhe kontrollit që ka politika mbi të.

Denoncimet nga ana e shtypit dhe subjekteve të ndryshme ende nuk gjejnë ndjeshmërinë e organeve të drejtësisë për t’i ndjekur dhe vërtetuar akuzat. Arrestimet e bujshme në radhët e drejtuesve të lartë të Bankës Qendrore dhe Ministrisë së Rendit që përmenden shpesh si shembuj, u përkasin tashmë shumë muajve më parë dhe proceset gjyqësore ndaj tyre ende nuk kanë përfunduar.

Lufta kundër korrupsionit, trafiqeve dhe krimit të organizuar vazhdon të kushtëzojë përpjekjet e Shqipërisë për t’u integruar në strukturat euro-atlantike.//kk//

XS
SM
MD
LG