Lidhje

Shiat e shtypur nga regjimi i Sadamit gëzojnë lirinë - 2003-07-06


Të premten, ditën e lutjeve publike, qindra myslimanë filluan të mblidheshin tek ajo që ishte dikur xhamia e Saddamit. Ajo është një ndërtesë madhështore ende e pambaruar, që ishte projektuar si xhami për popullatën myslimane Sunni të qytetit, por që nga rënia e Saddam Husseinit, në fillim të muajit prill, janë Shiat që e kanë frekuentuar këtë xhami për t’u falur.

Shumica e myslimanëve të Irakut janë Shia, por nën regjimin e Saddamit, ata nuk lejoheshin të praktikonin ritualet e tyre fetare dhe as të mbanin lutjet publike të së premtes. Tani, gjërat kanë ndryshuar dhe ata plotësojnë nevojat e tyre shpirtërore në liri.

Por është mundësia e ndikimit iranian, të cilit i tremben amerikanët dhe një pjesë e irakianëve. Ata kanë frikë se në qoftë se shumica Shia e Irakut vjen në pushtet në një qeveri të ardhshme, ajo mund ta kthejë Irakun në teokraci, të bazuar në modelin iranian.

Organizata kryesore Shia është Këshilli Suprem për Revolucionin Islamik në Irak. I themeluar në fillim të vitve 80-të, pasuesit e tij kaluan vite të tëra në mërgim në Iranin fqinjë, me synimin për të eksportuar revolucionin islamik në vendin e tyre. Krahu i tij ushtarak, Brigadat Badr, u stërvitën nga Garda Revolucionare e Iranit.

Tani shumë të mërguar janë kthyer në Irak dhe shikohen si një forcë e frikshme për të ardhmen e vendit. Këshilli Suprem ka ndikimin e tij të të madh në jug të vendit, por ai vepron gjithashtu edhe në Bagdad.

Në një intervistë që ka dhënë kohët e fundit, udhëheqësi i Këshillit Suprem, Ayatollah Mohamad Bakr al Hakim e ka paraqitur çështjen e të ardhmes politike të vendit në përputhje me ambicjet e veta. Ai thotë se varet nga populli i Irakut të vendosë fatin e tij.

Boshllëku i pushtetit, i krijuar pas rënies së qeverisë së Saddam Husseinit, i ka nxitur grupet fetare dhe parti të ndryshme të përpiqen ta plotësojnë atë. Disa udhëheqës fetarë thonë se mungesa e sigurimit i ka detyruar banorët të krijojnë grupe të mbrojtjes lokale për të ruajtur rendin dhe qetësinë në zonat e tyre të banimit.

Të tjerë kanë përdorur autoritetin e xhamisë për të paralajmëruar pasuesit e tyre që të mos bashkëpunojnë me amerikanët dhe i kanë paralajmëruar gratë të veshin roba islamike dhe të ndjekin traditën e ngurtë fetare.

Disa nga këto paralajmërime e kanë alarmuar administratën civile në Irak të udhëhequr nga amerikanët, si dhe agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe shumë banorë të Irakut. Uashingtoni e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë krijimin e një shteti islamik të stilit iranian, apo ndonjë tip tjetër diktature.

Demokracia, qeveria përfaqësuese, të drejtat e njeriut, liria, janë termat që përdorin irakianët kur pyeten se çfarë shpresojnë të shikojnë në qeverinë e tyre të ardhëshme.

Disa duan një qeveri laike, të tjerë duan një shtet islamik. Por siç thotë profesori i shkencave politike, Hafez Amar Delamey, ajo që duan gjithë irakianët është që administrata e udhëhequr nga amerikanët të përshpejtojë procesin që do t’u krijonte irakianëve mundësinë të zgjedhin mënyrën e qeverisjes.

Profesor Delamey e hedh poshtë frikën amerikane për një qeveri Shia. Ai thotë se Shiat nuk janë një forcë e vetme kompakte, por edhe në qoftë se ata vinë në pushtet, ata nuk do të ndjekin modelin iranian.//kk//

XS
SM
MD
LG