Lidhje

Amerika bën thirrje për përparimin e teknologjisë në bujqësi - 2003-07-06


Javën e kaluar, në një takim ndërkombëtar në Sakramento të Kalifornisë, u mblodhën së bashku zyrtarë të bujqësisë, shkencës dhe mjedisit. Ata morën pjesë në një konferencë ndërkombëtare dhe ekspozitë për shkencën dhe teknologjinë bujqësore. Ajo u organizua nga Departamenti i Bujqësisë i Shteteve të Bashkuara dhe nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar.

Gjatë konferencës, Sekretarja e Bujqësisë, Ann Veneman paraqiti një raport të departamentit të saj, ku këshillohen vendet që të përkrahin zbulimet shkencore në bujqësi. Aty thuhet se rendimenti më i lartë do të përmirësonte rritjen ekonomike dhe do të pakësonte urinë.

Në raport identifikohen disa teknologji për të cilat studiuesit mendojnë se do të jenë të rëndësishme në bujqësinë e shekullit të njëzetenjëtë. Studimet gjenetike janë njëra prej tyre. Mjetet që punojnë vetëm me një molekulë, nanoteknologjia, munden gjithashtu të ndihmojnë studimet për bimët dhe kafshët. Po ashtu mënyra më të mira për të përdorur dhe përhapur infromacionit përmes mbledhjes së të dhënave në kompjuterit, mund të ndihmojnë studiuesit ngado në botë.

Edhe administratori i Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar, Andrew Natsios foli në konferencë. Ai tha se rendimenti bujqësor në shumë vende në zhvillim nuk po rritet aq sa duhet. Ai tha se këto vende duhet të investojnë më shumë në teknologjinë bujqësore.

Ekspertët thonë se vendet në zhvillim investojnë më pak se një për qind të burimeve të tyre ekonomike në studimin dhe prodhimin bujqësor. Vendet e zhvilluara investojnë pesë për qind.

111 vende morën pjesë në konferencën në nivel ministror. Komisioneri evropian i bujqësisë, Franz Fischer nuk ishte i pranishëm. Ministrat e Bujqësisë së Bashkimit Evropian kishin një takim në Luksemburg.

Qindra vetë protestuan para vendit ku mbahej konferenca në Kaliforni. Forca të mëdha policie kishin marrë masa të rrepta sigurie. Nuk pati njoftime për akte të rënda dhune. Në fund të konferencës katër ditore policia kishte arrestuar rreth 70 vetë.

Disa veprimtarë e kundërshtuan konferencën, duke thënë se ishte një aktivitet për të përkrahur bizneset e mëdha bujqësore. Ata kërkuan që të bëhet më shumë për të ushqyer të uriturit. Ndërsa disa të tjerë ishin kundër ushqimit të modifikuar biologjikisht.//kk//

XS
SM
MD
LG