Lidhje

Publiku amerikan humb interesin për tregëtinë e lirë - 2003-07-09


Sondazhet e fundit tregojnë se entuziazmi i publikut amerikan për marrëveshjet e tregtisë së lirë me vendet e tjera po pakësohet si pasojë e shqetësimeve për humbje të vendeve të punës dhe për zhvillim të ngadaltë të ekonomisë.

Një grup ekonomistësh dhe ekspertësh të tregtisë u mblodhën në Washington për të diskutuar këtë prirje si dhe për të gjetur rrugët e zgjerimit të marrëdhënieve tregtare.

Celinda Lake është drejtuese e një firme që kryen kërkime për shumë botime të rëndësishme. Sipas saj, vëzhgimet e fundit tregojnë se amerikanët janë të shqetësuar lidhur me marrëveshjet e tregtisë që do t’i ekspozonin më shumë ata ndaj rreziqeve ekonomike.

“64 për qind thonë se Shtetet e Bashkuara duhet t’u kushtojnë rëndësi vendeve të punës përpara se të nënshkruajnë marrëveshje tregtare. Vetëm 33 për qind thonë se Shtetet e Bashkuara duhet t’u kushtojnë rëndësi marrëveshjeve tregtare”, thotë ajo.

Pakësimi i besimit kolektiv të amerikanëve tek tregtia ndërkombëtare, nëse është i vërtetë do të ishte diçka me pasoja të mëdha. Që pas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara kanë qënë nxitësi kryesor i tregtisë ndërkombëtare, duke luajtur rol të rëndësishëm në krijimin e ish- marrëveshjes së GATT-it si dhe të Organizatës Botërore të Tregtisë.

Për dekada, Shtetet e Bashkuara kanë përkrahur rritjen e tregtisë si një nga faktorët e që sjell rritjen e ekonomisë globale dhe bashkimin e vendeve në drejtim të arritjes së interesave të tyre reciprokë. Shtetet e Bashkuara janë një nga nënshkrueset e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës Veriore, të njohur si NAFTA.

Ka patur diskutime lidhur me krijimin e një marrëveshjeje tregtare mes vendeve të kontinentit amerikan, pavarësisht se progresi ka qënë i vogël në këtë drejtim.

Teoria ekonomike mbështet pohimin se tregtia sjell përfitime. Në qoftë se një vend është i specializuar në prodhimin e drithërave dhe tjetri në prodhimin e makinave, atëherë në bazë të teorisë së mësipërme ekonomike, do të ishte mirë që të dy vendet të specializoheshin në sektorët e tyre të prodhimit në mënyrë që konsumatorët të përfitonin drithëra dhe makina me çmime të ulta.

Zëvëndëspresidenti i Dhomës së Tregtisë të Shteteve të Bashkuara, Gary Litman, thotë se tregtia sjell rritjen ekonomike dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.

“Tregtia krijon vende pune. Amerikanët jo thjesht mbrojnë vendet e tyre të punës, por punojnë për krijimin e vendeve të reja. Partnerët tanë më të mëdhenj tregtarë janë Kanadaja dhe Bashkimi Europian, e cila eklipson tregtinë që kemi me vendet e tjera që kanë pagesë të ulët të fuqisë punëtore. Ne blejmë mallra dhe shesim prodhime të sofistikuara. Shtetet e Bashkuara janë vendi eksportues më i madh në botë”, thotë ai.

Profesoresha e Ekonomisë në Universitetin e Kalifornisë Lori Kletzer, thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë më shumë për të mbrojtur personat e prekur nga konkurenca e huaj në qoftë se synohet të sigurohet mbështetja e publikut për marrëveshjet tregtare.

Kletzer shton se Shtetet e Bashkuara mund të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj tregtisë me përshpejtimin e rritjes ekonomike në muajt dhe vitet e ardhshme. //kk//

XS
SM
MD
LG