Lidhje

Departamenti i Shtetit dhe të Drejtat e Njeriut - 2003-07-10


Zyrtarë të lartë të të drejtave të njeriut në Departamentin e Shtetit thonë se administrata e presidentit Bush është e angazhuar për t’u kërkuar qeverive të ndryshme reforma në fushën e të drejtave të njeriut.

Ndihmës-Sekretari i Shtetit për të drejtat e njeriut, Lorne Craner i bëri këto deklarata para një Komisioni të Kongresit, i cili dëgjoi edhe mendimet e kritikëve të cilët thonë se Shtetet e Bashkuara po minojnë përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Departamenti i Shtetit nxjerr një raport vjetor mbi dhunimet e të drejtave të njeriut në botë. Por Kongresi i ka kërkuar atij të përgatisë një raport tjetër ku të përshkruhen hapat konkrete dhe mjetet që përdoren për të ulur shkeljet e të drejtave të njeriut.

Raporti i këtij viti mbulon vetëm 92 vende dhe përshkruan për secilin vend me hollësi strategjinë e përdorur nga administrata, duke përfshirë fusha të tilla si ndërtimi i demokracisë, reformat në sistemin gjyqësor, arsimi, shëndetësia dhe mjetet e informimit.

Por disa ligjvënës vazhdojnë ta kritikojnë administratën duke thënë se ajo nuk është sa duhet e angazhuar përsa u përket të drejtave të njeriut. Ata theksojnë se raporti i Departamentit të Shtetit nuk trajton disa aspekte, gjë që sipas tyre tregon se administrata po përpiqet të zbusë kritikat ndaj disa qeverive. Ja si u shpreh ligjvënësi republikan Kris Smith, i cili kryesoi seancën e ditës së mërkurë.

“Të drejtat e njeriut nuk janë dhe nuk duhet të konsiderohen si diçka anësore. Ata duhet të përbëjnë temën kryesore. Ajo që u përcillet qeverive rreth të drejtave të njeriut si dhe ajo që lihet pa u thënë në marrëdhëniet diplomatike të të gjitha niveleve, sidomos në rangjet e larta, ka pasoja për personat në rrezik ose për viktimat e shkeljes së këtyre të drejtave,” tha zoti Smith.

Ligjvënësi Smith përmendi se Raporti i Departamentit të Shtetit nuk përfshin reagimin e qeverisë kineze ndaj popullsisë etnike Uigure në provincën e Sinkiangut. Ai shtoi se në raport nuk janë përfshirë 5 vende të tjera si Greqia, Kazakistani, Turqia, Belizeja dhe Surinami, të cilat janë cilësuar nga Departamenti i Shtetit si shtete që nuk kanë marrë masa serioze për t’i dhënë fund trafikut të personave.

Nga ana e tij, Ndihmës-Sekretari i Shtetit për të drejtat e njeriut, Lorne Craner tha se raporti dëshmon për mbështetjen e fortë që Shtetet e Bashkuara japin për të drejtat e njeriut.

“Ne do të vazhdojmë të kritikojmë shkeljet e të drejtave të njeriut në botë. Por ne duam të shkojmë më tej dhe të ndërmarrim hapa konkrete për të ndihmuar ato vende që ndërtojnë demokracinë. Me pak fjalë, raporti tregon se mbështetja jonë për të drejtat e njeriut është më shumë sesa një paraqitje vjetore për të identifikuar shkeljet e këtyre të drejtave. Kjo është një përpjekje e përditëshme, tha zoti Craner”, thotë zoti Craner.

Ndonëse grupet e të drejtave të njeriut e vlerësojnë raportin, ata thonë se Shtetet e Bashkuara vuajnë nga problemi i imazhit. Tom Malinovski është drejtor i organizatës “Human Rights Watch” për Uashingtonin. “Administrata, flet me një qartësi morale të lavdërueshme, pavarësisht se i mungon autoriteti moral sidomos në ato pjesë të botës ku ne duhet të jemi më të shqetësuar për nevojën e rritjes së interesit për mbrojtjen e këtyre të drejtave, si Lindja e Mesme dhe bota islamike”, thotë zoti Malinovski.

Zoti Malinovski dhe të tjerë thonë se Shtetet e Bashkuara po zbatojnë standarte të dyfishta, duke e justifikuar këtë me luftën kundër terrorit.

Në përgjigje të kritikave, Ndihmës-Sekretari i Shtetit Craner thotë se, fakti që një vend nuk është përfshirë në raportin e Departamentit të Shtetit, nuk do të thotë se ky vend nuk shkel të drejtat e njeriut. Ai shtoi se raportet vjetore të Departamentit të Shtetit mbeten një burim kryesor informacioni të hollësishëm për gjendjen e të drejtave të njeriut në botë.

XS
SM
MD
LG