Lidhje

Irak: vriten dy ushtarë amerikanë - 2003-07-10


Zyrtarët ushtarakë në Bagdat thonë se 2 ushtarë amerikanë u vranë në dy sulme të veçanta mbrëmë në Irak.

Më shumë se 30 ushtarë amerikanë janë vrarë nga zjarri i personave të armatosur që nga një maji, kur Presidenti Bush deklaroi se në Irak kishin marrë fund operacionet luftarake në shkallë të gjerë.

Presidenti Bush pohoi sot se në Irak ka probleme të sigurisë dhe se trupave amerikane do t’u duhet të vazhdojnë të tregohen të vendosura në veprimet e tyre.

Sek. Rumsfeld: shpenzimet ushtarake në Irak pritet të dyfishohen

I ndodhur nën trysninë e senatorëve demokratë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld e dyfishoi parashikimin për koston e operacioneve ushtarake në Irak. Ai tha se parashikimet tani janë për 3 presje 9 miliardë dollarë në muaj. Kjo shifër që përfshin vetëm operacionet ushtarake dhe jo shpenzimet e rindërtimit, është gati sa dyfishi i kostos së parashikuar në muajin prill.

Sekretari i Mbrotjes iu nenshtrua pyetjeve të shumta të senatorëve gjatë një dëshmie që zgjati 4 orë në komisionin e senatit për forcat e armatosura. Ndërkohë, demokratët në Kongres po i bëjnë thirrje presidentit Bush t’i ndërkombëtarizojë operacionet paqeruajtëse në Irak. Ata paralajmërojnë se Shtetet e Bashkuara mund të gjenden në të njëjtin pozitë si në rastin e Vietnamit.

Ligjvënësi Eliot Engel thotë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të lënë pas dore problemet në Irak. Por ai shton se Presidenti Bush duhet t’i kërkojë NATO-s dhe aleatëve të tjerë të marrin pjesë në operacionet paqeruajtëse të atjeshme.

“Besoj se, ashtu si në Kosovë, ka ardhur koha që NATO-ja të marrë përsipër ruajtjen e paqes në Irak”, thotë zoti Engel.

Ligjvënësi Engel thotë se Shtetet e Bashkuara rrezikojnë të përfshihen në një luftë guerile, të ngjashme me luftën në Vietnam. Senatori demokrat Xhon Kerri, i cili ka vënë kandidaturën për President, komentoi për këtë çështje në një konferencë shtypi. “Kam mësuar nga lufta në Vietnam se çfarë ndodh kur krenaria bëhet pjesë e procesit vendimarrës. Ne e vazhduam luftën në Vietnam për një kohë të gjatë për shkak të krenarisë”, tha senatori.

Senatori Kerri i mohoi zërat se ai po e shfrytëzonte për qëllime politike çështjen e Irakut, duke shtuar se nuk ishte tërhequr nga vota që i kishte dhënë presidentit Bush për të ndërhyrë ushtarakisht në Irak. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të kërkojnë ndihmën e aleatëve dhe se presidenti duhet të mbahet përgjegjës për mungesën e një planifikimi konkret.

XS
SM
MD
LG