Lidhje

Banka Botërore miraton një kredi të re prej 18 milionë dollarësh për Shqipërinë - 2003-07-11


Qeveria shqiptare njoftoi se Banka Botërore sapo ka miratuar një kredi prej 18 milionë USD për të mbështetur uljen e varfërisë dhe zhvillimin ekonomik e social të Shqipërisë.

Drejtues të larë të financave shqiptare pohuan se kjo kredi e re e Bankës Botërore është një vlerësim për përpjekjet e Shqipërisë në reformat ekonomike. Një vit më parë Shqipëria mori nga BankaBotërore edhe një kredi tjetër prej 20 milionë dollarësh për përmirësimin e shërbimeve sociale.

Ministri i financave, Kastriot Islami, deklaroi në një konferencë shtypi për statistikat gjashtëmujore se shpenzimet buxhetore janë të ulta, ku kanë ndikuar niveli i ulët i investimeve, rreth 63%, për shkak të veprimeve të administratës.

“Kjo vjen në radhë të parë nga niveli i administratëave për të organizuar të gjithë proceset e nevojshme për realizimin e investimeve, që fillojnë me prokurimet, realizimit apo shtyrjes së disa prokurimeve, për shkak të anullimit të disa tenderave etj. Nga këndvështrimi i ministrisë së financave, nuk ka asnjë lloj pengese që këto investime të kryhen me një dinamikë më të shpejtë” - tha zoti Islami.

Ministri shqiptar i financave tha se ashtu si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar edhe organizata të tjera financiare ndërkombëtare po japin vazhdimisht vlerësime pozitive për ecjen përpara të reformave dhe ekonomisë në vend. Një mision i FMN është në Tiranë për të parë nga afër ekonominë dhe për të konsultuar procesin e privatizimit. Ai foli për një aftësi të lartë thithëse të ekonomisë shqiptare për investimet e huaja.

“Për sa i përket aftësive absorbuese për investimet e huaja, ato kanë lëvizur në nivelin e rreth 25 miliardë lekë në vit. Realizimi i tyre ka lëvizur në kufijtë 70-85%, që është edhe niveli i absorbimit konkret e real” - tha zoti Islami.

Kredia e sapomarrë nga Banka Botërore pritet të shlyhet për 20 vjet. Vetëm nga Banka Botërore që nga viti 1991, Shqipëria ka marrë rreth 720 milionë USD për 51 projekte.

Autoritetet e financave po përpiqen të mbledhin në maksimum të ardhurat buxhetore nga taksat e tatimet, të ruajnë nivele të pranueshme të deficitit të plotë e të brendshëm, të mbajnë nivelin e inflacionit nën 4% dhe të sigurojnë një rritje ekonomike vjetore prej 6%. Ndër objektivat më të rëndësishëm mbeten privatizimet në Bankën e Kursimeve dhe INSIG. //ss//

XS
SM
MD
LG