Lidhje

Kërkuesit e SIDË-s do të takohen javën e ardhshme në Paris - 2003-07-12


Kërkuesit e SIDË-s do të takohen javën e ardhshme, nga 13 deri 16 korrik në Paris për të marrë pjesë në atë që konsiderohet si konferenca më e rëndësishme shkencore. Korrespondenti i Zërit të Amerikës njofton se në konferencë do të marrin pjesë ekspertë të njohur të SIDË-s për të folur për sëmundjen që ka pllakosurvendet në zhvillim.

Mendohet se 6 mijë persona do të marrin pjesë në konferencë ku do të diskutohen kërkimet dhe taktikat klinike të zbatuara, që mund të sjellin ndryshime në trajtimin e sëmundjes, e cila ka prekur më shumë se 40 milion persona. Konferenca zhvillohet nën drejtimin e Shoqatës Ndërkombëtare për Luftën kundër SIDË-s dhe Agjencisë Kombëtare Franceze të Kërkimit mbi SIDË-n. Drejtori i Agjencisë franceze Michel Kazatkine, thotë se konferenca po zhvillohet me me kërkesë të specialistëpve që merren me studimin e sidës.

“Shoqata ndërkombëtare e luftës kundër SIDË-s e konsideron të nevojshme mbajtjen e konferencës. Kjo sepse, konferencat ndërkombëtare, që zhvillohen në dy vjet, kanë qëllim të ndërgjegjsojnë opinionin publik. Komuniteti shkencor e konsideroi të nevojshme mbajtjen e kësaj konference.”

Zoti Kazaktine thotë se në konferencë do të flitet rreth trajtimit të virusit të SIDË-s, uljes së shkallës së transmetimit të virusit nga nëna tek fëmija si dhe përhapjes së virusit në popullatë.

Presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare për Luftën kundër SIDË-s, zoti Josep Lange thotë se 30 për qind e pjesëmarrësve dhe e kërkuesve janë nga vendet në zhvillim.

Një vend të rëndësishëm në konferencë do të zërë debati lidhur me të dhënat kontradiktore të kërkimeve shkencore. Ndër çështjet që do të diskutohen janë shkaku kryesor i transmetimit të virusit, ndikimi që trajtimi mjekësor i virusit ka për sëmundjet e zemrës, anët pozitive dhe negative të ndërprerjes së kurës mjeksore. Eksperti më i madh amerikan i sëmundjeve infektive Antony Fauci thotë se në fillim të konferencës do të ketë më shumë pyetje sesa përgjigje.

“Konferenca do të shërbejë për përcaktimin e fushave ku ka më shumë mosmarrëveshje, ndoshta me qëllimin që kërkimet e ardhshme të mundësojnë dhënien e përgjigjeve për shumë çështje. Mendoj, thotë zoti Fauci, që konferenca do t’i shërbejë sheshimit të pikëpamjeve të ndryshme si dhe nevojës në rritje për më shumë studime në të ardhmen për t’i dhënë zgjidhje shumë çështjeve kontradiktore.”

Në konferencë do të trajtohen edhe zhvillimet shkencore të 20 viteve të fundit. Konferenca do të përkujtojë zbulimin e virusit nga Luc Montagnier i Francës dhe Robert Gallo i Shteteve të Bashkuara. Doktori Fauci do të mbajë fjalimin e rastit duke rikujtuar zbulimin e ilaçeve efektive që luftojnë virusin, zhvillimin e testeve të gjakut për zbulimin e tij si dhe përhapjen e informacionit rreth mënyrës së përhapjes së virusit në trupin e njeriut dhe në popullatë. Doktori Fauci thotë se mësimet e nxjerra nga kërkimet mjekësore mbi SIDË-n në 20 vitet e fundit mund të përdoren për kurimin e sëmundjeve të tjera.

Në konferencë do të marri pjesë edhe ish-presidenti i Afrikës së Jugut Nelson Mandela, i cili do të flasë për shtimin e kurave mjekësore për vendet e varfra. Ish presidenti i Brazilit Fernando Henrique Cardoso do të flasë rreth suksesit të Brazilit në luftën kundër SIDË-s.

//ze//

XS
SM
MD
LG