Lidhje

Presidenti Bush shprehet i kënaqur që drejtori i CIA-s Tenet morri përgjegjësinë - 2003-07-12


Presidenti Bush shprehet i kënaqur që drejtori i CIA-s, George Tenet morri përgjegjësinë për dështimin e agjencisë së tij për të paralajmëruar Shtëpinë e Bardhë rreth dyshimeve lidhur me informatat mbi programin irakian të armëve.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Fleischer thotë se presidenti Bush është i kënaqur që drejtori i CIA-s, Tenet ka pranuar atë që duhej pranuar rreth gabimit. Zëdhënësi tha se presidenti tani e shikon këtë çështje të mbyllur.

Dje, zoti Tenet morri përgjegjësinë për miratimin nga ana e CIA-s të asaj pjese të fjalimit të presidentit Bush mbi gjendjen e vendit në muajin janar, ku Sadam Huseini në atë kohë udhëheqës i Irakut, akuzohej se po përpiqej të blente uranium në Afrikë.

Më vonë, Kombet e Bashkuara arritën në përfundimin se dokumentat lidhur me këtë akuzë ishin të rreme.

Zoti Tenet thotë se shqetësimet e CIA-s rreth akuzave do të kishin bërë që ato të mos përfshiheshin në fjalimin e presidentit Bush. Drejtori i CIA-s tha se presidenti kishte çdo arsye të besonte se teksti i paraqitur ishte i saktë dhe se gabimi, tha ai, ngre pikpyetje të ligjshme rreth qëndrimit të CIA-s.

Zëdhënësi Fleischer thotë se presidenti Bush vazhdon të ketë besim tek CIA dhe tek drejtori Tenet, i cili mban këtë post që nga koha e presidentit Klinton.

Presidenti Bush u pyet rreth kësaj çështjeje nga gazetarët dje gjatë vizitës së tij në Ugandë. Ai tha se fjalimi i tij mbi gjendjen e vendit ishte shqyrtuar nga shërbimet amerikane të zbulimit dhe fjalimi u shpjegonte amerikanëve disa nga kërcënimet që Sadam Huseini paraqiste për ta.

"Unë mbajtja para kombit një fjalim që ishte miratuar nga shërbimet e zbulimit, dhe ishte një fjalim që tregonte në hollësi para popullit amerikan rreziqet që përbënte regjimi i Sadam Huseinit. Qeveria ime morri masa të përshtatëshme ndaj këtyre rreziqeve dhe si rrjedhojë bota do të jetë më e sigurt dhe më paqësore."

Këshilltarja e Sigurimit Kombëtar Condoleezza Rice thotë se gjatë fjalimit mbi gjendjen e vendit në muajin janar, presidenti Bush nuk tha ndonjë gjë që Shtëpia e Bardhë mendonte se nuk ishte e vërtetë.

Vetëm një javë pas fjalimit, sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell vendosi të mos e përdorte pretendimin mbi çështjen e uraniumit në fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara, sepse atij iu duk e papërshtatëshme një gjë e tillë pas shqyrtimit të çdo hollësije që administrata dinte rreth armëve irakiane të shkatërrimit në masë.

Sekretari Powell thotë se rreth çështjes se presidenti përdori informata të gabuara kundër Irakut është shkruar e folur tej mase dhe beson se kjo çështje nuk kërcënon besueshmërinë e presidentit.

Zëdhënësi Fleischer thotë se kjo nuk është thjesht çështje se shtypi po i kushton vemendje të tepruar dhe se ky rast ngre pikpyetje të ligjshmë rreth ekzaminimit të fjalimeve presidenciale.

Kërcëmimi i menjëherëshëm nga armët irakiane të shkatërrimit në masë ishte arsyeja kryesore që presidenti Bush vendosi të dërgonte forca amerikane në Irak. Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga rënie e Bagdadit, dhe armë të shkatërrimit në masë ende nuk janë gjetur.

//ze//

XS
SM
MD
LG