Lidhje

Ushtari amerikan nderohet si hero, pas kthimit nga Bagdati - 2003-07-13


Togeri Eduard Çin tërhoqi vëmendjen e botës më 9 prill kur ndihmoi disa banorë të Bagdatit të rrëzojnë statujën e Sadam Huseinit. Ky bir emigrantësh u nderua nga sportdashësit e New Yorkut, pasi iu dha mundësia të hedhë topin e parë në një ndeshje beizbolli të skuadrës Mets.

Eduard Çin u lind në lagjen Brooklyn të New Yorkut dhe e konsideronte veten si një ushtar i thjeshtë. Ai ishte i tillë deri më datën 9 prill, kur hipi në statujën 12-metërshe të Sadam Huseinit në qendër të Bagdatit dhe vuri mbi fytyrën e diktatorit një flamur amerikan.

Ky veprim i tij shkaktoi debate. Pas disa minutash, togeri Çin e zëvendësoi flamurin amerikan me një parullë irakiane të kohës së para Luftës së Gjirit. Më pas, me ndihmën e irakianëve dhe amerikanëve, statuja në Sheshin Paradise u rrëzua.

Kur shkoi pas disa javësh në shesh, togeri Çin u çudit kur mësoi se ishte shndërruar në një hero për vendasit:

“Gjatë kohës që e bëra atë veprim, nuk i kushtova shumë vëmendje, deri pasi shtypi dhe gjithë të tjerët filluan të bëjnë zhurmë. Me sa duket ata e konsideronin këtë si diçka të madhe,” thotë zoti Çin.

Togeri Çin lindi në New York 23 vjet më parë, në një familje emigrantësh nga Birmania. Ai u fut në radhët e Marinës në vitin 1999 dhe u caktua në Batalionin e parë tankist, ku u bë mekanik tankesh. Në janar atë e dërguan në Kuvait, dhe më pas batalioni i tij shkoi në Irak.

Lufta po vazhdonte prej 21 ditësh kur forcat amerikane morën nën kontroll Bagdatin dhe statuja e Sadam Huseinit u rrëzua. Ajo ditë, 9 prilli, u bë simboli i fundit i regjimit irakian.

Togeri Çin thotë se nuk kishte ndër mend të merrte një rol kaq publik. Ishte vetëm një veprim i thjeshtë që mori përmasa të mëdha.

“Ishim në shesh. Irakianët po përpiqeshin ta rrëzonin vetë statujën por nuk po arrinin. Na kërkuan ndihmë dhe ne ua ofruam, ashtu siç kemi vepruar gjatë gjithë luftës,” tregon togeri. Ai kujton se kishte pak kohë të mendohej, përveç shpresës se rënia e statujës do të simbolizonte diçka më të madhe për të dhe ushtarët e tjerë.

“Shpresoja që kjo të shënonte përfundimin e luftës, që të gjithë të ktheheshim në shtëpi te familjet tona,” thotë togeri Çin. Ai ka filluar të mësohet me famën që ka marrë dhe vazhdon ta gëzojë plotësisht jetën. Më 7 qershor ai dhe e fejuara e tij, Ana, u martuan. Zoti Çin ishte edhe i ftuar nderi në paradën me rastin e Festës së Pavarësisë më 4 korrik, organizuar në lagjen kineze të New Yorkut. Më 9 korrik, Togeri Çin pati nderin e veçantë të hidhte topin e parë të një loje beizbolli të ekipit Mets në Stadiumin Shea.

Togeri Çin pret më kënaqësi të ardhmen. Shërbimi i tij në marinë përfundon më 11 gusht. Më pas ai ka në plan të regjistrohet në universitet për të ndjekur studimet në degën e bujqësisë.

//ad//

XS
SM
MD
LG