Lidhje

Presidenti Bush fton kryeministrin italian në fermën e tij në Teksas - 2003-07-14


Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Bush do të ftojë javën tjetër në fermën e tij të Teksasit, kryeministrin italian Silvio Berlusconi.

Në një deklaratë të lëshuar të hënën thuhej se dy udhëheqësit do të diskutojnë për çështje të paqes dhe sigurisë në Lindjen e Mesme, për luftën kundër terrorizmit dhe mbi përpjekjet për të mos lejuar përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë.

Ata do të bisedojnë edhe mbi forcimin e marrëdhënieve ndëratlantike të tensionuara për shkak të luftës në Irak.

Vetë zoti Berlusconi ndodhet nën presion për komentet e bëra në drejtim të një deputeti gjerman të parlamentit evropian, komente që shumë vëzhgues i quajtën fyese për deputetin në fjalë.

Incidenti ndodhi në fillim të këtij muaji, kur Italia mori kryesinë e radhës të Bashkimit Evropian.

Duke njoftuar vizitën, të planifikuar për më 21 dhe 22 korrik, Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Bush e vlerëson rolin udhëheqës të zotit Berlusconi.

Ajo theksoi se Italia është midis aleatëve më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara në NATO si dhe një mbështetës i fuqishëm në luftën globale kundër terrorizmit dhe në vendosjen e paqes e të demokracisë në Irak.//kk//

XS
SM
MD
LG