Lidhje

Dilema që shqetëson Evropën e re - 2003-07-17


11 vende të ish-bllokut sovjetik janë kandidatë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Tetë prej tyre do të hyjnë në Bashkim në maj të vitit 2004. Ata mbështesin fuqimisht integrimin evropian, por në të njëjtën kohë duan të mbajnë lidhje të ngushta strategjike me Shtetet e Bashkuara.

Por me çfarë problemesh përballen vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, ndërkohë që kërkojnë të përcaktojnë rolin që u takon në Evropë dhe në Komunitetin Atlantik?

Ndërsa afrohej lufta e udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara në Irak, Polonia doli si një nga aleatët më të vendosur evropianë të Amerikës. Ajo mbështeti politikën e Uashingtonit dhe u tregua e gatshme të dërgojë forcat e saj të posaçme në Irak. Si mirënjohje për këtë mbështetje, presidenti Bush kërkoi që polakët të organizonin dhe drejtonin një nga kontingjentet ndërkombëtare që do të mbikëqyrte territorin irakian.

Polonia nuk ishte i vetmi vend ish-anëtar i bllokut komunist që mori anën e Shteteve të Bashkuara. Hungaria ra dakord të stërvisë vullnetarë irakianë dhe të shoqërojë forcat e koalicionit. Rumania dhe Bullgaria hapën hapësirën e tyre ajrore për aeroplanë ushtarakë amerikanë dhe lejuan përdorimin e bazave të tyre detare dhe ajrore. Lituania dërgoi personel mjekësor dhe për transport në Kuvait.

Edhe vende të tjera evropiane shprehën mbështetjen e tyre për fushatën e udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara. Një qendrim i tillë i zemëroi disa shtete të Evropës Perëndimore, në mënyrë të veçantë Francën. Charles Kupchan, bashkëpunëtor i vjetër shkencor pranë Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se vendet që dikur i përkisnin bllokut sovjetik, kanë disa arsye të mos i përfillin kritikat e evropiano-perëndimorëve dhe të ruajnë lidhjet e tyre me Amerikën.

Ian Bremmer, i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me seli në Uashington, shton se bashkëpunimi ushtarak me Shtetet e Bashkuara mund t’u sjellë përfitime konkrete vendeve të Evropës Qendrore e Lindore, si për shëmbull tranferimin e teknologjisë dhe të investimeve në sektorët e tyre ushtarakë. Por ai shton se argumentet e presidentit Bush për ndërhyrjen në Irak u pritën shumë më mirë në vendet e ish-bllokut sovjetik sesa në Perëndim.

“Një pjesë e arsyes për këtë është se vetë këto vende sapo ishin çliruar nga sundimi komunist. Dhe si koncept, ndryshimi i regjimit ka më shumë ngjyrime pozitive për evropiano-lindorët sesa për Evropën Perëndimore. ”

Megjithatë, si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian, vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore u duhet të kenë parasysh gjendjen politike brenda Bashkimit Evropian, si edhe interesat e fqinjëve të tyre të fuqishëm. Aktualisht, me përjashtim të Francës, Gjermanisë dhe disa vendeve të tjera, shumica e vendeve evropiano-perëndimore, duken të gatshme t’u përshtaten interesave strategjike amerikane.

Gazetari britanik, Anatol Lieven, vë në dukje që në se veprime të ardhshme amerikane, si për shëmbull një konfrontim me Iranin, do ta kthenin edhe Britaninë kundër Shteteve të Bashkuara, pozita e vendeve të Evropës Qendrore e Lindore do të vështirësohej më shumë. Më së fundi, thotë ai, atyre do t’u duhej të zgjidhnin ndërmjet Amerikës dhe një Evrope Perëndimore gjithnjë e më shumë antiamerikane.

Por analistët janë të mendimit se një zhvillim i tillë do të ishte i padëshirueshëm për të gjitha palët, përfshirë edhe Evropën Perëndimore. Përpjekjet për të formuluar një politikë të jashtme evropiane të pavarur, thotë Ian Bremmer, do të ishin të dëmshme, sepse Evropës i mungon kapaciteti i rëndësishëm ushtarak.

Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore mendojnë se lidhjet e ngushta me Shtetet e Bashkuara janë në favor të interesave të tyre të sigurimit. Por e ardhmja ekonomike e rajonit varet nga suksesi i integrimit të tij në Bashkimin Evropian. Me fjalë të tjera pjesës lindore të kontinentit evropian i duhet të mbajë marrëdhënie të mira me të dyja anët e Atlantikut. Për këtë arsye çdo përçarje serioze dhe e përhershme në radhët e komunitetit Atlantik, do të ishte një problem i vështirë për demokracitë e reja të rajonit.

Megjithatë analistët thonë se është e qartë se vendet e ish-bllokut sovjetik po hyjnë në një arenë ndërkombëtare të lëvizshme e të paqendrueshme. Organizmat e vjetra Perëndimore, si Natoja dhe Bashkimi Evropian, janë duke ripërcaktuar misionet e tyre dhe duke kërkuar identitete të reja, ndërkohë që zgjerojnë kufijt e tyre dhe i shtojnë radhët me anëtarë të rinj. Për anëtarët e rinj këto ndryshime janë burim mundësish të gjëra dhe sfidash të mëdha. //kk//

XS
SM
MD
LG