Lidhje

Administrata amerikane e konsideron rrëzimin e regjimit irakian një pjesë përbërëse të fushatës kundër terrorizmit - 2003-07-20


Presidenti Bush paraqiti lidhjet e Sadam Huseinit me rrjetet terroriste botërore dhe përpjekjet e tij për të siguruar armë të shkatërrimit në masë si justifikimet kryesore për luftën kundër Irakut. Sadam Huseini kishte pushtuar më parë dy vende fqinje, Iranin dhe Kuvaitin, dhe kishte mbështetur forca radikale që kundërshtonin procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

"Një ndër kërcënimet më të rrezikshme me të cilat ndeshet Amerika është bashkëpunimi ndërmjet një rrjeti terrorist me disa prej udhëheqësve më të këqinj të botës, të cilët zhvillojnë armë të shkatërrimit në masë."

Zyrtarët amerikanë këmbëngulin se rrëzimi i Sadam Huseinit ishte një pjesë përbërëse e strategjisë kundër terrorizmit. Kritikët e luftës në Irak argumentojnë se mund ta shpërqëndrojë vëmendjen nga fushata globale kundër terrorizmit dhe misioni i Shteteve të Bashkuara për të stabilizuar Afganistanin dhe për të mos lejuar që ky vend të kthehet në bazë për radikalët.

Daniel Benjamin i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Washington, thotë se radikalët si al-Kaida do t’i ekzagjerojnë problemet me të cilat mund të ndeshet Amerika në Irak në mënyrë që të përhapin propagandën e tyre anti-amerikane.

"Kemi luajtur lojën e armikut, pasi i kemi dhënë al-Kaidës shembullin më të mirë për argumentin e saj, megjithëse vetë besojmë se ndërhyrja jonë në Irak motivohej nga arsye strategjike dhe bamirëse. Al-Kaida e ka cilësuar këtë ndërhyrje si një provë të qartë se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar në luftë kundër fesë islame. Ky arsyetim është një mjet i fuqishëm që i ndihmon ata të rekrutojnë anëtarë dhe të mbledhin fonde dhe ka prova se po e bëjnë këtë."

Përkrahësit e strategjisë së administratës së presidentit Bush, si Jack Spencer i fondacionit Heritage në Washington, thonë se ndihma për irakianët që të ndërtojnë një shoqëri pluraliste, e cila mbron të drejtat civile dhe fetare, do të dëmtojë përpjekjet e radikalëve dhe do të shërbejë si model për mbarë rajonin.

"Nuk duhet të harrojmë se Sadam Huseini përdori terrorizmin ndërkombëtar gjatë gjithë sundimit të tij për të arritur objektivat e politikës së jashtme. Ai i shikonte Shtetet e Bashkuara si pengesën kryesore për arritjen e qëllimeve të tij dhe në një farë mase, ai po mbështeste terroristë të cilët po ashtu i konsideronin Shtetet e Bashkuara si armik. Prandaj përmbysja e atij regjimi ishte shumë e rëndësishme për arritjen e fitores së përgjithshme në luftën kundër terrorizmit, pa përmendur çështjen e armëve të shkatërrimit në masë, e cila është po aq e rëndësishme në aspektin e terrorizmit."

Analistë të tjerë thonë se lufta në Irak shërben si një mesazh i qartë se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar me seriozitet në luftë kundër terrorizmit. Pas luftës në Irak, administrata e presidentit Bush po përqëndrohet tani në procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Ky angazhim i ri është mirëpritur nga aleatët në Evropë dhe në Lindjen e Mesme, të cilët e shohin zgjidhjen e konfliktit si çelësin për t’i prerë rrugën përhapjes së ekstremizmit anti-amerikan. Por analistët dhe diplomatët shqetësohen gjithashtu se një proces i gjatë dhe i vështirë tranzicioni në Irak mund të shterojë energjitë politike që nevojiten për të çuar përpara bisedimet e paqes ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.

//ze//

XS
SM
MD
LG