Lidhje

Kryeministri Nano nis konsultimet për emrat e rinj në qeveri - 2003-07-21


Kryeministri Nano nisi konsultimet për plotësimin e posteve të lëna bosh pas dorëheqjes nga kabineti i tij të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të jashtëm Ilir Meta dhe ministrit të Integrimit Sokol Nako.

Skema për të cilën u përpoq të hënën kryeministri për të zgjidhur problemin e qeverisë së tij pas dy dorëheqjeve të njëpasnjëshme të fundjavës nga zoti Meta dhe Nako parashikonte vetëm një lëvizje brenda kabinetit ekzistues dhe përfshirjen e dy emrave të rinj.

Sipas saj ministri i mbrojtjes do të kalonte në ministrinë e jashtme. Vendin e tij dhe postin e zëvendëskryeministrit do ta merrte zoti Namik Dokle, ndërsa Integrimin, deputetja dhe ish-ministrja socialiste Ermelinda Meksi.

Deri të hënën pasdite kjo formulë ka mbetur e bllokuar për shkak të refuzimit të zotit Majko, i cili ka preferuar të qëndrojë në krye të mbrojtjes. Kryeministri do të duhet të paraqesë të martën në kryesinë e partisë emrat e rinj të kabinetit të tij në mënyrë që brenda një kohe të shkurtër t’i dërgojë ata te presidenti.

Zoti Nano u takua të dielën me kreun e shtetit Alfred Moisiu për të kërkuar prej tij një aprovim të shpejtë të emrave të rinj. Presidenti u shpreh të hënën se ajo që ka ndodhur është një krizë e padëshirueshme dhe se ai do të përmbushë vetëm detyrën që i njeh kushtetuta, duke lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend të ndërhyjë në konfliktin e PS-së.

Madje ai ka zgjuar edhe zemërimin e opozitës kur ka deklaruar se propozimi i saj për një qeveri të re me bazë të gjerë, është një përfundim radikal për të cilin është ende herët të mendohet.

Por ndërsa duket se çështja e posteve qeveritare do të zgjidhet pa shumë probleme, brenda partisë socialiste thellohet kriza. Zoti Meta ka kërkuar të hënën dorëheqjen nga kryesia. Sipas tij ngrirja e problemeve serioze që janë shfaqur brenda partisë dhe në qeveri këto dy vitet e fundit, ka qenë e dëmshme dhe e gabuar.

Në letrën e dorëheqjes zoti Meta shkruan se kryesia është bërë peng i shantazhit të Fatos Nanos se mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohëshme.

Kryesia e partisë, shprehet zoti Meta, këtë rrënim vlerash e ka fshehur dhe vazhdon ta fshehë pas gjoja "stabilitetit të vendit dhe solidaritetit socialist". Po të hënën zoti Meta, ka lënë funksionet e tij si ministër i jashtëm pa pritur zëvendësimin dhe i ka kaluar të gjitha kompetencat zëvendësministrit të jashtëm Luan Hajdaraga.

Edhe kjo dorëheqje e dytë e zotit Meta vjen e papritur. Ai ishte shprehur se tani ishte më i hapur për të këmbëngulur në përmirësimin e qeverisjes dhe për të penguar uzurpimin e saj dhe të partisë nga Fatos Nano. Por me këtë veprim ai largohet edhe nga skena më e rëndësishme politike në të cilën ai mund të përballej me kryeministrin.//kk//

XS
SM
MD
LG