Lidhje

Irak: vriten një ushtar amerikan dhe një përkthyes irakian - 2003-07-21


Një ushtar amerikan dhe një përkthyes irakian u vranë në një sulm të fundit kundër trupave amerikane në Irak. Zyrtarët amerikanë thonë se nga shpërthimi i së hënës i një bombe në anë të rrugës u plagosën edhe tre ushtarë të tjerë që po udhëtonin me një autokolonë në rrethinat e veriut të Bagdadit.

Katër ushtarë amerikanë dhe dy irakianë janë vrarë në prita që nga e premtja, mes së cilëve dy ushtarë që u vranë dje në Irakun verior. Ndërkohë një gjeneral i lartë amerikan thotë se Komanda Qendrore Amerikane do të krijojë një forcë prej rreth 7 mijë irakianësh të stërvitur nga amerikanët për të mbrojtur autokolonat me furnizime dhe për të zëvendësuar trupat amerikane që ruajnë tani centralet elektrike dhe municionet irakiane.

Gjeneral John Abizaid që drejton Komandën Qendrore thotë se forca pritet të fillojë operacionet brenda 45 ditësh. Ai tha se anëtarët e milicisë së re mund të bashkohen me ushtarët amerikanë për të luftuar luftëtarët guerrilas që po kryejnë sulme të përditshme kundër autokolonave me trupa amerikane.

Izraeli i hap dritën jeshile biznesit në Irak

Ministri izraelit i financave u hapi dritën jeshile kompanive të Izraelit që të bëjnë tregëti me Irakun. Ministri i Financave, Benjamin Netanjahu e dha miratimin sot, pas një sërë kërkesash nga ana e kompanive izraelite që duan të hapin biznese në Irakun e pas luftës.

Ndërkohë, udhëheqësi i Partisë Laburiste të Izraelit Shimon Perez tha se Iraku ka mundësi të bëjë paqe me Izraelin, sapo të arrihet një marrëveshje mes shtetit hebraik dhe palestinezëve.

Duke folur në radion izraelite, zoti Peres tha se ofertën e kishte bërë ish-ministri i jashtëm irakaian Adnan Pachachi në një takim që pati me të në Romë.//kk//

XS
SM
MD
LG