Lidhje

Bush: Siria dhe Irani strehojnë terroristë - 2003-07-21


Presidenti Bush paralajmëroi Iranin dhe Sirinë që të mos ndihmojnë ekstremistët, të cilët kërkojnë të shkatërrojnë procesin e paqes. Gjatë një konference të përbashkët shtypi me kryeministrin italian, Silvio Berlusconi, në fermën e tij në Texas, Presidenti Bush diskutoi gjithashtu për rajone të nxehta në Afrikë e Azi.

Presidenti u takua me udhëheqësin italian në një kohë me shumë probleme përsa i përket politikës së jashtme: që nga Liberia në Irak, Kore të Veriut dhe Lindje të Mesme.

Zoti Bush e çeli konferencën e përbashkët me fjalë të mira për Kryeministrin palestinez, Mahmud Abaz, dhe Kryeminsitrin izraelit, Ariel Sharon. Por zoti Bush rezervoi fjalë të ashpra për vendet-fqinje, për të cilat ai tha se janë të lidhura me terrorizmin.

”Sot, Siria dhe Irani vazhdojnë të strehojnë dhe ndihmojnë terroristët. Kjo sjellje është krejtësisht e papranueshme dhe shtetet që përkrahin terrorin, do të mbajnë përgjegjësi”, tha Presidenti Bush.

Këto komente bëhen kur Presidenti po përgatitet të angazhohet përsëri drejtpërdrejtë në përpjekje diplomatike për paqe në Lindjen e Mesme. Kryeministri Abaz do të vizitojë të premten Shtëpinë e Bardhë dhe zoti Sharon do të bëjë të njëjtën gjë katër ditë më pas.

Në të njëjtën kohë, zoti Bush ndodhet përballë një vendimi në lidhje me dislokimin e mundshëm të paqeruajtësve amerikanë në Liberi, vend në Afrikën Perëndimore, i themeluar nga skllevër të liruar amerikanë. Ai theksoi se është i shqetësuar në lidhje me gjendjen që po përkeqësohet si kurrë ndonjëherë, dhe se po punon me Kombet e Bshkaura dhe Komunitetin Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore.

”Ne vazhdojmë të vëzhgojmë gjendjen me shumë vëmendje. Po punojmë me Kombet e Bashkaura për të zbatuar politikën e domosdoshme për të vënë përsëri në fuqi armëpushimin në terren. Po punojmë me Komunitetin Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore për të vendosur se kur do të jenë të përgatitura vendet anëtare të dërgojnë trupa paqeruajtëse, për të cilat jam shprehur se Amerika do të jetë e gatshme t’i ndihmojë”, tha Presidenti Bush.

Presidenti u pyet gjithashtu për Korenë e Veriut dhe në lidhje me njoftimet e reja se Pheniani mund të ketë ndërtuar një impiant të dytë për ripërpunimin e materialeve radio-aktive.

Ai nuk u dha rëndësi njoftimeve duke thënë se Koreja e Veriut nuk i ka mbajtur të fshehta synimet e saj në fushën bërthamore. Ai theksoi përsëri se dëshëron që kjo çështje të zgjidhet në rrugë diplomatike dhe i kërkoi Kinës, Koresë së Jugut dhe Japonisë të ushtrojnë tryni ndaj Presidentit koreanoverior, Kim Jung Il.

”Ne duhet të vazhdojmë të punojmë me vendet në rajon për të bindur Jung Il-in se vendimi i tij nuk është i mençur. Dhe pikërisht këtë do të bëjmë”, tha Presidenti Bush.

Por çështja që doli në krye të rendit të ditës në takimin e tij me kryeministrin italian, Sivio Berlusconi, nuk ishte Koreja e Veriut apo Liberia, apo qoftë edhe përpjekjet drejt paqes në Lindjen e Mesme. Në fakt ishte Iraku.

Italia është një nga përkrahëset më të mëdha të politikës së Presidentit Bush ndaj Irakut dhe ky i fundit tha se të dy kishin shpenzuar kohë të konsiderueshme duke diskutuar për rindërtimin e këtij vendi. Ai tha se ishin përqendruar në rrugët për zgjerimin e koalicionit që rrëzoi nga pushteti Sadam Huseinin.

”Kuptohet se sa më shumë ndihmë të marrim, aq më shumë e vlerësojmë atë, dhe ne po vazhdojmë të punojmë me vendet e tjera duke u kërkuar ndihmë e këshilla. Ne e vlerësojmë rolin udhëheqës të Kryeministrit italian”, tha Presidenti Bush.

Vizita e kryeministrit Berluskoni në fermën e Presidentit është parë pjesërisht si një gjest falenderimi. Zoti Berluskoni, i cili kohët e fundit mori kompetencat e presidencës së radhës së Bashkimit Evropian, tha se dëshëron të riparojë marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës që u tensionuan gjatë periudhës para luftës në Irak.

Kryeministri italian tha se është kohë që të bashkohemi për të rigjallëruar, siç u shpreh, fuqinë e madhe të in e shkrirjes ndërmjet Evropës dhe Amerikës. Ai tha se ky është mesazhi që do ti dërgojë Evropës.

//ze//

XS
SM
MD
LG