Lidhje

Përpjekje për Krijimin e Jetës në Laborator; Studim mbi Sëmundjen e Autizmit - 2003-07-22


Një grup shkencëtarësh në universitetit Princeton thonë se janë pranë shndërrimit të elementëve pa jetë në një krijesë të gjallë. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur që kur filloi jeta në tokë afro 4 miliardë vjet më parë. Sipas Biblës, jeta filloi ditën e tretë. Adami u krijua në ditën e gjashtë. Sipas shkencës, jeta fillon me një qelizë delikate dhe të gjitha gjallesat e tjera zënë fill prej saj. Pra sipas biblës dhe shkencës jeta u krijua nga një moment fillestar, nga një gjenezë.

Por ekipe shkencëtarësh tani po punojnë për një zanafillë të dytë. Ata po përpiqen të krijojnë jetën nga një diçka pa jetë. Profesori Lee Silver pranë universitetit Princeton, thotë se shkencëtarët tani po punojnë për ndërthurrjen e elementëve kimikë prej të cilëve ata mendojnë se mund të krijojnë një gjë të gjallë. Por si mund të arrihet kjo? Ata marrin një gjallesë, më të voglën që ekziston e me sa më pak gjene. Në këtë rast një baktere E-Koli. Shkencëtarët e ndjekin jetën e bakteres duke eleminuar një nga një gjenet e saj. Kur një gjen eleminohet dhe bakterja vazhdon të jetojë, kjo tregon se gjeni i mënjanuar nuk ishte i domosdoshëm për jetën e bakteres. Në këtë mënyrë, shkencëtarët vazhdojnë derisa sa të mbeten vetëm gjenet thelbësorë për jetën. Shkencëtarët mendojnë se ndodhen tani në prag të krijimit të një gjëje të gjallë, e cila sipas tyre, do të zhvillohet, rritet e do të riprodhojë vetveten. Kjo ka ndodhur vetëm një herë; sipas shkencës 3 presje 8 miliardë vjet më parë. Por a mund të ndodhë përsëri një gjë e tillë, këtë herë në laborator? Profesor Silver thotë se Po, Por shumë vetë janë skeptikë, nuk e dinë ose nuk duan t’a besojnë.

Shenjat e herëshme të Autizmit

Autizmi është një sëmundje që prek fëmijët, dhe shkencëtarët mendojnë se shenjat e sëmundjes mund t’i vënë re që në muajt e parë të jetës së foshnjes, shumë kohë para shfaqjes së diagnozave të qarta të sëmundjeje. Shkencëtarët thonë se nëpërmjte matjes së perimetrit të kokës së një foshnjeje dhe duke ndjekur nga afër zhvillimin e trurit të tij, ata mund të jenë në gjendje të përcaktojnë sëmundjenqë në fazat e herëshme. Kohët e fundit, dy vjeçari Mario Freizër u diagnostikua me autizëm. Autizmi ka shumë simptoma si për shembull vështirësi në të folur dhe emocione të mëdha. Një studim i ri tregon se ndërhyrja e herëshme mund të pakësojë mundësitë e prekjes nga autizmi. Studimi i botuar në revistën e shoqatës mjekësore amerikane përqëndrohet në matjen e perimetrit të kokës dhe në zhvillimin e trurit të fëmijëve me autizëm. Mjeku Erik Kourchesne thotë se gjatë studimit u vu re se foshnjet që më vonë preken nga autizmi janë ato që lindin me kokë më të vogël sesa normalja dhe pak muaj pas lindjes perimetri i kokës pëson një rritje të shpejtë dhe kur bëhen 6 muaj deri në 14 muaj perimetri i kokës së tyre është shumë më i madh sesa ai tek një fëmijë normal. Mjeku Kourchesne dhe kolegët e tij në spitalin pediatrik në Sand Diego të Kalifornisë punuan 10 vjet duke grumbulluar dhe analizuar të dhënat nga 50 fëmijë me autizëm. Ata studiuan këta fëmijë duke shqyrtuar të dhënat mjekësore që nga dita e lindjes. Mjeku Kourchesne thotë se fëmijët me shenja të rënda autizmi ishin ata me rritje më të shpejtë të kokës. Duke parë këtë fëmijë mund të dallohet se ai nuk ka patur ndonjë rritje të madhe të trurit, por aparati i skanimit tregon se po. Tani me diagnostikimin e hershëm të sëmundjes shpresat për shërim janë më të mëdha. Rezulatet e studimit mund të vlejnë edhe si shenja paralajmëruese të rrezikut nga autizmi, duke lejuar kështu edhe ndërhyrje të herëshme mjekësore. Gjithashtu rëndësia e këtij studimi është se ai u hap rrugën studimeve të tjera më të thella për të gjetur shkaktarin e rritjes tej mase të trurit, gjë që shkakton autizmin./al/

XS
SM
MD
LG