Lidhje

SHBA: nuk ka lëshime për Korenë e Veriut - 2003-07-22


Shtëpia e Bardhë thotë nuk ka ndonjë ndryshim në qëndrimin e saj ndaj Koresë së Veriut, për të mos i bërë lëshime këtij vendi dhe për të mos u tërhequr përballë shantazheve në krizën bërthamore me Phenianin. Një zëdhënës mohoi sot një njoftim të gazetës "Uashington Post", ku thuhej se Shtetet e Bashkuara mund t’i jepnin Koresë së Veriut garanci mos-sulmimi, në se ky vend heq dorë nga ambiciet për prodhimin e armëve bërthamore. Nënshkrimi i një pakti mos-sulmimi me Shtetet e Bashkuara është një nga kërkesat kryesore të Phenianit për të hequr dorë nga programi bërthamor. Vitin e kaluar Koreja e Veriut bëri të ditur se do të rifillonte programin bërthamor, të cilin kishte rënë dakort ta pezullonte në vitin 1994. Administrata e presidentit Bush thotë se diplomacia shumë-palëshe është rruga më e mirë për të zgjidhur krizën.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Skot Meklellan tha se administrata e presidentit Bush nuk do të ofrojë garanci për Korenë e Veriut në mënyrë që ky vend të përmbushë detyrimet e tij ndërkombëtare.

Zoti Meklellan po komentonte lidhur me një artikull të gazetës "Uashington Post", ku citoheshin zyrtarë amerikanë, sipas të cilëve Shtëpia e Bardhë po shqyrtonte mundësinë për t’i dhënë Phenianit garanci zyrtare se nuk do të sulmohet nga Shtetet e Bashkuara.

Artikulli thekson se kjo ofertë do t’u përcillej zyrtarëve koreano-veriorë në Pekin me kusht që ky takim të pasohej nga bisedime më të gjera ku të përfshiheshin Koreja e Jugut, Japonia dhe ndoshta edhe Rusia.

Zoti Meklellan tha se artikulli i gazetës nuk ishte i saktë. Ai tha se administrata nuk do të lejojë që t’i bëhet shantazh nga Koreja e Veriut, e cila kërkon një pakt nga Shtetet e Bashkuara, ku të garantohet se nuk do ta sulmojnë këtë vend, si parakusht për të hequr dorë nga programi i saj i armëve bërthamore.

Presidenti Bush po i përmbahet zgjidhjes shumëpalëshe të krizës, duke thënë se Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut duhet të flasin me një zë për t’ia bërë të qartë Koresë së Veriut se përpjekjet e saj për sigurimin e armëve bërthamore janë të papranueshme.

Pas bisedimeve sot në Pekin me zyrtarët kinezë, kryeministri britanik Tony Blair u tha gazetarëve se brenda disa javësh mund të zhvillohet një raund i ri bisedimesh mbi Korenë e Veriut.// lk //

XS
SM
MD
LG