Lidhje

Ritmi i rritjes së popullsisë ndikon tek ekonomia e vendeve - 2003-07-23


Në raportin e saj vjetor për popullsinë në botë, Zyra e Statistikave për Popullsinë, me qendër këtu në Uashington thotë se ekziston një dallim i thellë midis vendeve të industrializuara ku popullsia po shënon rënie dhe vendeve në zhvillim, ku popullsia po rritet. Kjo rritje e popullsisë do të ketë një ndikim në ekonomitë e këtyre vendeve.

Në vitin 2050 popullsia në botë pritet të arrijë në 9 miliardë, shifër kjo gati 50 përqind më e lartë se numri aktual prej 6, 3 miliardë banorësh. Rritja më e madhe e popullsisë pritet të jetë në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine.

Ndërsa numri i lindjeve në vendet në zhvillim po rritet, ky numër është në rënie në vendet e zhvilluara, ku popullsia po plaket. Ky fenomen po bën që gjithnjë e më pak njerëz në vendet e zhvilluara të mbajnë barrën e plotësimit të nevojave të gjithë shoqërisë. Demografi i Zyrës së Statistikave për Popullsinë, Carl Haub thotë se nuk pritet që kjo prirje të ndryshojë.

“Dy gjera dihen për rritjen e popullsisë në të ardhmen. E para është se në vendet e zhvilluara nuk do të ketë një shtim të popullsisë. E dyta është se popullata në vendet në zhvillim do të ketë një rritje. Ajo që nuk dimë është se në çfarë mase do të rritet.” Zyra e Statistikave për Popullsinë thotë se në vendet në zhvillim ka një rritje prej 80 milion njerëzish në vit ndërsa në vendet e zhvilluara vetëm një milion.

Popullsia e Indisë për shembull pritet të shtohet me 50 përqind për gjysëm shekulli, duke e çuar numrin total të këtij vendi në 1 miliardë e 500 milionë njerëz. Statistikat e Kombeve të Bashkuara tregojnë se shtimi javor i popullsisë në Indi është i barabartë me popullsinë e të 22 vendeve të Bashkimit Evropian.

Popullsia e Kontinentit të Afrikës parashikohet të jetë tri herë më e madhe se ajo e Bashkimit Evropian deri ne vitin 2050. Zoti Haub tha se shtimi i popullsisë pasqyron efektshmërinë e programeve të planifikimit familjar, zhvillimin ekonomik dhe shëndetësinë dhe kushtet e tjera të jetës. Por ai thotë se megjithë dëmet që ka shkaktuar virusi i Sidës në disa vende afrikane, popullsia në këtë kontinent vazhdon të shtohet me ritme të larta.

“Kur Sida filloi të përhapet në përmasa të mëdha ne vitet ’80 dhe ’90, njerëzit mendonin se sëmundja do të ndikonte në rënien e popullsisë në Afrikë. Por kjo nuk ndodhi. Sida, padyshim ka pasur një ndikim në disa vende të veçanta si Kenia, Afrika e Jugut dhe para se gjithash Botsvana, por si kontinent, Afrika pritet t’i japë botës rreth 1 miliardë njerëz deri në vitin 2050.”

Ekonomistët paralajmërojnë se shtimi i popullsisë do të jetë një sfidë për vendet e varfra që kanë probleme për të furnizuar me ushqim të gjithë popullsinë. Raportet e ndryshme tregojnë se 1 në tre veta në vendet në zhvillim janë të moshës nën 15 vjeçare. //kk//

XS
SM
MD
LG