Lidhje

UNMIK: çështja e statusit politik të Kosovës mbetet e hapur - 2003-07-24


Ushtruesi i detyrës së shefit të Misionit te Kombeve të Bashkuara në Kosovë, diplomati amerikan Çarles Brejshou ka pohuar sot se çështja e statusit politik të Kosovës, mbetet e hapur. Ai ka reaguar në këtë mënyrë në deklarimet e Zëvendëskryeministrit serb, Nebojsha Çoviç, i cili ka theksuar se Kosova duhet të mbetet pjesë e Serbisë.

Qëndrimet e tilla janë përfshirë në kuadër të planit të Beogradit për, siç thuhet, zgjidhjen e çështjes së Kosovës, një plan ky i hartuar në prag të fillimit të bisedimeve të paralajmëruara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për zgjidhjen e çështjeve teknike të interesit të dyanshëm.

Deri tani, të gjithë zyrtarët ndërkombëtarë, por edhe ata vendorë, kanë theksuar se në këto bisedime nuk do të përfshihet edhe çështja e statusit politik të Kosovës. Megjithatë, Nebojsha Çoviç, ka theksuar se “askush në Serbi nuk guxon të heqë dorë nga Kosova dhe se kjo çështje duhet të përfshihet edhe në Kushtetutën e saj të re”. Beogradi sipas tij është i gatshëm t’i ofrojë Kosovës një autonomi të zgjeruar.

Duke reaguar ndaj këtyre pohimeve, diplomati Brejshou, i cili aktualisht drejton Misionin e Kombeve të Bashkuara deri në emërimin e shefit të ri, ka theksuar se, Rezoluta 12-44 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e ka lënë të hapur çështjen e statusit politik të Kosovës. Zëdhënësi i Misionit, Sunil Narula, citoi shefin e tij të ketë thënë se kjo çështje do të vendoset prej këtij Këshilli në kohën e duhur.

“Kosova administrohet nga UNMIK-u në bazë të Rezolutës në fjalë dhe punon sipas mandatit të përcaktuar, për vendosjen e autonomisë thelbësore dhe vetqëqeverisjes”. Zyrtari i lartë ka cituar shefin e deritashëm, Mihail Shtajner, i cili ka theksuar se “statusi përfundimtar nuk do të përcaktohet as në Beograd e as në Prishtinë”,-tha zëdhënësi.

Sidoqoftë, hapja e kësaj çështjeje nuk duket shumë e largët. Vëzhguesit pohojnë se çfarëdo bisedimesh të zhvillohen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ato mund të rrëshqasin drejt kësaj çështjeje, duke anashkaluar madje edhe parimin e deritashëm për përmbushjen e standardeve para statusit.

Përfaqësues politikë të shqiptarëve kanë pohuar se statusi mund të shtrohet për debat madje para viti 2005, ndërsa zyrtarë ndërkombëtarë kanë nënvizuar se një vit do të ishte shumë afër, ndërsa pesë vjet do të ishin shum larg për këtë çështje.// lk //

XS
SM
MD
LG