Lidhje

Harri Holker adimistratori i ri i OKB-së për Kosovën - 2003-07-25


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan emëroi të premten ish-kryeministrin e Finlandës Harri Holkeri në postin e administratorit të OKB-së në Kosovë.

Zoti Annan e bëri të ditur emerimin përmes një letre dërguar Këshillit të Sigurimit.

Zoti Holkeri pason administratorin Steiner, i cili u largua në fillim të muajit për të marrë postin e ambasadorit të Gjermanisë në agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Vjenë.

Reagimet e para nga Kosova

Emërimi i administratorit të ri të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, është mirëpritur nga përfaqësuesit e institucioneve kryesore të Kosovës. Ata pohojnë, se me këtë, është tejkaluar zbraztësira e krijuar në administratën ndërkombëtare, pas largimit të shefit të mëparshëm të Misionit të Kombeve të Bashkuara, Michael Steiner. Ministri në qeverinë e Kosovës dhe aktualisht, ushtrues i detyrës së kryeministrit, Jakup Krasniqi, tha se emërimi ishte detyrë e ngutshme, posaçërisht kur merren parasyshë përgjegjësitë e përcaktuara për administratorin, me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Kornizën Kushtetuese e Kosovës. Ai shfaqi shpresën se diplomati finlandez, Harry Holker, në postin e tij të ri, do të angazhohet për përshpejtimin e proceseve pozitive në Kosovë.

“Vërtetë ne do të dëshironim, që kryeadministratori I ri, të marrë detyrat dhe përgjegjësitë sa më parë dhe të fillojë angazhimin e tij, për bartjen e kompetencave, proces I nisur nga zoti Steiner dhe definimin e përgjegjësive të institucioneve të Kosovës dhe rolit të tyre në bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës”, tha zoti Krasniqi.

Ndërkaq, Skender Hyseni, këshilltar i lartë politik i Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, tha se pret që administratori i ri do të përqëndrohet në rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës, nëpërmjet përshpejtimit të procesit të privatizmit dhe krijimin e kuadrit ligjor për nxitjen e investimeve.

“Përveç kësaj, presim që përfaqësuesi i ri special, do të përqëndrohet dhe do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet kryesore, sidomos me Presidentin, Kryeministrin dhe Kryetarin e Parlamentit, për çështje të tjera të rëndësishme në Kosovë, deri te çështja e definimit të statusit final të Kosovës”, tha zoti Hyseni.

Emërimin e administratorit e ka cilësuar si të rëndësishëm edhe Ramush Tahiri, këshilltar politik i kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci. Ai tha se zoti Holker, është diplomat me përvojë dhe vjen nga një vend me përvojë në procesin e demokratizimit dhe administrimit.

“Përgjithësisht është mirë që kjo punë është kryer më herët dhe nuk është pritur shtatori, për atë arsye se duhet t’i kryejmë disa punë urgjente që kanë të bëjnë edhe me bisedimet me Serbinë, por edhe ato me organizimin e pushtetit dhe funksionalizimin e administratës ndërkombëtare, e cila dalëngadalë, duhet të kalojë në këshillëdhënëse dhe bartjen e përgjegjësive tek organet e Kosovës”, theksoi zoti Tahiri.

Diplomatin finlandez Harri Holker, në Kosovë e presin shume sfida të rëndësishme, por me e madhja duket se do të jetë konkretizimi i fillimit të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për zgjidhjen e çështjeve teknike të interesit të dyanshëm. Duke pasur parasysh se shumë herë është thënë që ky mund të jetë edhe administratori i fundit, atëherë zoti Holker do të mund të përballet edhe me sfidën më të vështirë, periudhën e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës.

XS
SM
MD
LG