Lidhje

Kalendari historik, 26 korrik - 2003-07-25


Më 26 korrik të vitit 1948, presidenti Harri Truman nënshkroi urdhërat ekzekutive për t’i dhënë fund ndarjes raciale në forcat ushtarake dhe në administratën civile të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Truman tha se synimi i urdhërave të tij si komandat suprem i forcave të armatosura dhe si kreu i degës ekzekutive të qeverisë ishte të siguronte barazinë përsa i përket trajtimit dhe mundësive për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga raca, përkatësia fetare apo prejardhja etnike.

Zbatimi i të dy urdhërave të presidentit Truman do të mbikëqyrej nga komisione të veçanta presidenciale. Njoftohet se presidenti Truman vendosi t’i lëshojë urdhërat ekzekutive pasi mësoi se një numër senatorësh nga shtetet jugore kishin në plan të bllokonin çdo përpjekje të administratës së tij për miratimin nga kongresi të legjislacionit mbi të drejtat civile.

Presidenti Truman kishte kërkuar mbajtjen e një sesioni të jashtëzakonshëm të Kongresit në kuadër të përpjekjeve për të kontrolluar inflacionin dhe për të trajtuar çështjen e të drejtave civili dhe probleme të tjera.

Më 26 korrik të vitit 1969, në qendrën Xhonson të Hapësirës në Hjuston të shtetit Texas, mbërritën gurë nga Hëna, të sjellë në Tokë nga astronautët e anijes amerikane Apollo 11.

Astronautët ishin kthyer në Tokë më 24 korrik. Mostrat prej 7 kilogramësh të gurëve nga hëna u vendosën në një dhomë speciale të izoluar të qendrës në Huston për 90 ditë, për t’u siguruar se në përbërjen e tyre nuk kishte mikrobe të panjohura e ndoshta të rrezikshme.

Gjeofizikanti Everret Gibson ishte një nga shkencëtarët e caktuar nga agjencia e hapësirë për të studiuar gurët nga hëna. Atij i kujtohet mirë padurimi dhe mërzitja që e kishin pushtuar nga pritja e gjatë prej 90 ditësh. Mirëpo, ai thotë se e gjithë ajo merzi dhe vonesa u harruan menjëherë kur filloi të studionte gurët në laborator.

“Sinqerisht, në ato momente po dridhesha nga gëzimi e mahnitja. Ishte një moment me të vërtetë elektrizues. E dija se po mbaja në dorë diçka që nuk ishte prekur kurrë më parë nga dora e njeriut.”,-kujton Gibson.

Pas studimeve shkencore, Agjencia Amerikane e Hapësirës ua dhuroi mostrat e gurëve të Hënës muzeumeve dhe institucioneve të ndryshme shkencore të vendit.// lk //

XS
SM
MD
LG