Lidhje

A është parajsa një objektiv apo thjesht një ide imagjinare? - 2003-07-26


Çdo fe ka idenë e saj për parajsën por konceptet janë të ndryshme. Një producent amerikan intervistoi besimtarë të feve kryesore të botës, duke i pyetur se çdo të thoshte parajsa për ta dhe erdhi në përfundimin se vizionet e tyre të ndryshme kishin diçka të përbashkët.

Producenti i filmit dokumentar John Scheinfeld ishte kurreshtar të mësonte më shumë për këtë çështje dhe së bashku me një ekip të televizionit National Geographic filloi hulumtimin e këtij koncepti.

”Ne nuk mund të shkojmë atje pra nuk mund ta filmojmë dot parajsën. Pra, çfarë duhet të bëjmë në këto kushte? Unë nuk doja të bëja një film tradicional për historinë e parajsës. Kështu që unë pyeta veten: nga vjen ky koncept? Si manifestohet ky koncept sot në pesë fetë kryesore të botës? Dhe si jetojnë njerëzit e këtyre feve për të arritur parajsën?”

Për ta parë se si konceptohet parajsa në Judaizëm, zoti Scheinfeld shkoi në Malin e hebrejve në Azerbaixhan. Njerëzit në këtë mal e gjejnë parajsën në një jetë morale të bazuar në traditat fetare antike.

”Ajo që më mahniti është fakti se hebrenjtë e këtij mali kanë jetuar atje më shumë se 2500 vjet. E dyta është fakti se janë të rrethuar me banorë të fesë myslimane dhe prapë kanë mbijetuar. Ajo që mësova atje është se ata ja kanë arritur kësaj duke pasur një besim të fortë në fenë e tyre.”

Duke jetuar nën perandori të ndryshme, nga ajo Persiane te ajo Ruse, hebrenjtë malorë kanë përqafuar tolerancën si dogmë qendrore të tyre fetare. Filmi përshkruan disa besimtarë dhe udhëheqës të komunitetit. Një nga ata ishte edhe një i moshuar i cili u shpreh kështu.

”Ne dëshirojmë që vendi ku ne jetojmë të jetë paqësor dhe i sigurtë. Pa vrasje, plaçkitje, thashetheme. Kjo është ajo çka komuniteti ynë konsideron parajsë.”

Koncepti perendimor i parajsës është formuar kryesisht nga arti kristian ku shpesh është parë si një vend plot re, engjëj dhe shenjtorë. Por për At Gregory Boyle në Los Angjelesin perëndimor, parasja është më pak e rëndësishme se sa mbijetesa në këto pjesë të rrezikshme të qytetit.

”Në vitin 1988 mora pjesë në varrimin e një të riu. Ai ishte i pari që unë pashë të vritej nga përleshjet mes bandave. Të 113-tin e varrosa para dy jave, tregon ai.”

Pra për Atin Boyle, parajsa është një ngushëllim në kohë të tragjedive, në kohën kur vazhdon puna për t’i tërhequr të rinjët nga bandat.

Në filmin e tij, zoti Scheinfeld ka futur edhe një ritual të dërvishëve turq të cilët i luten zotit me vallëzime rituale. Për të eksploruar konceptin Budist të parajsës, producenti bisedoi me një murgeshë në një tempull të Tailandës.

”Siç me tha kjo murgeshë, për Budizmin parajsa nuk është caku i fundit, ai është vetëm një opsion. Dhe siç mësova, në modelin Budist ka 33 parajsa të ndryshme.”

Në Indi zoti Scheinfeld bisedoi me një profesor të inxhinierisë hidraulike i cili në të njejtën kohë ishte edhe ushëheqës fetar i një tempulli. Ai e kishte përkushtuar jetën e tij për të shpëtuar lumin Gang i cili është i shenjtë për hindutë. Për të parajsa mishërohet në lumin Gang dhe në të gjitha krijesat e zotit.

Për besimtarët, parajsa mund të jetë bazë e një ligji moral apo burim i lutjeve. Producenti i filmit shton se për shumicën e njerëzve me të cilët ai kishte folur, parajsa është një ideal që shërben si frymëzim për jetën e tanishme.

//ze//

XS
SM
MD
LG