Lidhje

Irak: vritet një marins amerikan, një tjetër plagoset - 2003-07-27


Shefi i Shtatmadhërisë Amerikane, gjenerali Richard Myers, tha se vdekja e djemve të Sadam Huseinit është pasuar me informacione të shumta rreth vend-ndodhjes së ish diktatorit irakian.

Gjenerali Myers i bëri këto komente sot në Bagdad, disa orë pas njoftimeve për 3 bastisje nga trupat amerikane në vend-lindjen e Sadam Huseinit, Tikrit. Ushtarët amerikanë iu përgjigjën informacioneve se shefi i sigurimit të ish udhëheëqsit irakian ishte në njërën prej vendeve të bastisura. Nuk u njoftua për ndonjë arrestim.

Po sot, Komanda Qëndrore Amerikane njoftoi se një marins amerikan u vra dhe një tjetër u plagos nga një sulm me granadë gjatë natës. Ky sulm në orët e para të mëngjesit afër një fshati në jug të Bagdadit kryhet një ditë pasi 3 ushtarë amerikanë u vranë dhe 4 të tjerë u plagosën, ndërsa po ruanin një spital fëmijësh në pjesën veri-lindore të kryeqytetit irakian.

Duke folur sot në një rrjet televiziv amerikan, nën-sekretari amerikan i mbrojtjes, Paul Wolfowitz, tha se zyrtarët amerikanë prisnin një shtim afat-shkurtër të akteve të dhunës pas vrasjes së dy djemve të Sadam Huseinit. Por ai theksoi se gjatë javës së fundit është shtuar informacioni i dobishëm, përfshirë edhe një informacion, që çoi në kapjen e 660 raketave irakiane tokë-ajër.

Një zëdhënës i ushtrisë tha se sulmi i sotëm kundër trupave të marinës amerikane ndodhi në Al-Haswat, 30 kilometra në jug të Bagdadit. Të shtunën, 3 ushtarë amerikanë humbën jetën nga një sulm me granada, ndërkohë që ruanin një spital fëmijësh në veri të Bagdadit. Një ushtar tjetër amerikan u vra nga një sulm në një lagje periferike të kryeqytetit.

Autoriteti i Përkohshëm i Koalicionit për Irakun kishte paralajmëruar se sulmet mund të shtoheshin pasi trupat amerikane vranë të martën e kaluar djemtë e Sadam Huseinit, Udei dhe Kusei, në një betejë të ashpër në qytetin Mosul të Irakut verior. Një grup i quajtur Fedainjtë e Sadamit u zotua të hakmerret për vrasjen e vëllezërve Husein.

Zyrtarët amerikanë thonë se shpresojnë që vdekja e djemve të ish diktatorit Husein mund të demoralizojë pas një farë kohe guerriljet irakiane dhe mund të çojë në kapjen e udhëheqësit të përmbysur irakian. //az//

XS
SM
MD
LG