Lidhje

Shtëpia e Bardhë nuk pranon të publikojë pjesë të raportit për 11 shtatorin - 2003-07-29


Presidenti Bush hodhi poshtë kërkesat për të bërë publike disa pjesë sekrete të raportit mbi sulmet terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara. Presidenti tha se bërja publike e informacionit nga ajo pjesë e raportit që ka ngjallur debate të shumta, do të pengonte hetimet që vazhdojnë.

Disa ligjvenës amerikanë dhe qeveria saudite kanë kërkuar botimin e kësaj pjese të raportit. Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite takohet të martën me presidentin Bush për këtë çështje. Arabia Saudite mohon çdo lidhje me rrëmbyesit.

Në këto pjesë të raportit flitet për lidhjet që thuhen se ekzistonin midis disa anëtarëve të qeverisë saudite dhe rrëmbyesve të avionëve të 11 shtatorit. Siç njofton korrespondenti ynë Scott Stearns, Presidenti Bush do të takohet sonte me ministrin e jashtëm saudit për të diskutuar rreth raportit.

Presidenti Bush tha se ai nuk do të bëjë publike pjesë të tjera të raportit pasi kjo do të ndihmonte “armikun” siç u shpreh ai, dhe do të rrezikonte përpjekjet për zbulimin e veprimtarive të tjera terroriste.

“Hetimet për sulmet e 11 shtatorit vazhdojnë dhe ne nuk duam t’i dëmtojmë këto hetime. Nëse rreth njerëzve të caktuar zhvillohen hetime, nuk ka kuptim që ne të tregojmë se cilët janë këta njerëz”.

Zyrtarët sauditë e kërkuan takimin midis Presidentit Bush dhe ministrit të jashtëm Saud al-Faisal për të bindur administratën që të bëjë publike pjesë të tjera të raportit, pasi sipas tyre, mbajtja e fshehtë e atyre pjesëve që flasin për Arabinë Saudite, le të kuptojë se sauditët fshehin diçka.

Ambasadori saudit në Shtetet e Bashkuara thotë se qeveria e tij nuk e ka mbështetur kurrë terrorizmin por nuk mund t’u përgjegjt akuzave për të cilat thuhet se përmban raporti nëse nuk bëhet publik i tërë dokumenti.

Një pjesë e mirë e raportit prej gati 900 faqesh është bërë tashmë publik, me përjashtim të 28 faqeve që flasin për Arabinë Saudite.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se një sasi e madhe e informacioneve delikate tashmë është publikuar dhe nëse botohen edhe informacionet e tjera, kjo mund të dëmtonte punën e prokurorëve në të ardhmen. Presidenti thekson se ruajtja e sekretit është pjesë e përpjekjeve për të fituar luftën kundër terrorizmit.

“Lufta jonë kundër Al-Qaidës dhe terroristëve është në vazhdim e sipër, prandaj publikimi i kësaj pjese të raportit prej 900 faqesh do të zbulonte burimet dhe metodat tona dhe do të na e bënte të vështirë fitoren në luftën kundër terrorit”.

Sipas njoftimeve, në raportin e përgatitur nga Kongresi nuk bëhen akuza se qeveria saudite i ka mbështetur drejtpërdrejt terroristët, 15 prej të cilëve ishin shtetas të Arabisë Saudite.

Por në raport flitet për lidhje midis individëve sauditë, duke përfshirë një punonjës të shoqërisë së aviacionit civil të vendit me qendër në Kaliforni, i cili ndihmoi dy prej rrëmbyesve të 11 shtatorit, duke siguruar para për qiranë e apartamentit të tyre dhe duke u gjetur atyre një përkthyes.

Senatori demokrat, Bob Graham i kërkoi të hënën presidentit që të publikojë pjesë të tjera të raportit për shkak të nervozizmit të zyrtarëve sauditë, të cilët thonë se mbajtja sekret e këtyre 28 faqeve është bërë shkak për zëra që akuzojnë qeverinë e tyre. Senatori Graham tha se publikimi i këtyre faqeve jo vetëm që do të informonte publikun amerikan por ka rëndësi edhe për marrëdhëniet amerikano-saudite.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan tha se Shtëpia e Bardhë i kupton shqetësimet saudite për raportin. Nga ana e tij, Presidenti Bush ka theksuar se është e mundur që një pjesë e këtij informacioni të bëhet publik më vonë, nëse kjo nuk do të vinte më në rrezik sigurimin kombëtar.//kk//

XS
SM
MD
LG