Lidhje

Cheney: Regjimi i Sadam Husseinit i përket së kaluarës - 2003-07-30


Dymbëdhjetë vjet përpjekjesh diplomatike; mbi dymbëdhjetë rezoluta të Këshillit të Sigurimit; qindra inspektorë të armëve të OKB-së. Të gjitha këto mjete u provuan për ta detyruar regjimin e Sadam Husseinit të zbatojë marrëveshjet e vitit 1991 që i dhanë fund luftës së Gjirit Persik. Të gjitha dështuan.

Në nëntor të vitit 2002, Këshilli i Sigurimit miratoi njëzëri një rezolutë, sipas së cilës, Iraku kishte shkelur detyrimet e OKB-së për asgjësimin e armëve të shkatërrimit të masë. Kombet e Bashkuara folën për pasoja të rënda, në rast se Sadam Huseini nuk vepronte plotësisht në përputhje me këtë rezolutë. Por diktatori irakian nuk pranoi ta bëjë këtë. Më 17 mars, presidenti Bush i dha afat 48 orë Sadam Husseinit dhe djemve të tij, për t’u larguar nga Iraku.

Vendimi i Sadamit për të qëndruar në Irak, ishte një nga vendimet e tij të fundit si diktator. Tani, regjimi i Sadam Husseinit ka marrë fund një herë e përgjithmonë. ”Populli irakian, popujt e Lindjes së Mesme dhe populli amerikan kanë tani një të ardhme më të sigurt, pasi regjimi i Sadam Husseinit i përket tashmë së kaluarës, historisë”,- tha nën-presidenti amerikan Dick Cheney.

Në se ne nuk do të kishim vepruar, Sadam Husseini dhe djemtë e tij do të ishin edhe sot në pushtet. Në se ne nuk do të kishim marrë masat që morëm, dhomat e torturave do të vazhdonin të ekzistonin; qelitë e burgjeve përsëri do të ishin të mbushura me fëmijë; varret masive përsëri do të ishin të pazbuluara; rrjeti i terrorit përsëri do të kishte mbështetjen dhe mbrojtjen e regjimit... Dhe Sadam Hussseini përsëri do të kishte nën kontroll pasuri të mëdha, për të shpenzuar për ambiciet e tij kimike, biologjike dhe bërthamore...”, - tha nënpresidenti Cheney.

Në koalicionin që po ndihmon për krijimin e qëndrueshmërisë në Irak, krahas me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, marrin pjesë 29 vende. Nënpresidenti Cheney thotë se në Irak po rifillojnë shërbimet bazë.

Autoritetet e koalicionit po stërvisin forcat e policisë së Irakut, për t’i ndihmuar ato të patrullojnë qytetet dhe fshatrat irakiane dhe së shpejti ato do të krijojnë atje një forcë të re civile, si pjesë përbërëse të policisë... Tashmë ka filluar nga puna Këshilli i ri qeverisës i Irakut, i cili njihet nga OKB-ja. Ai ka filluar emërimin e ministrave si dhe krijimin e një buxheti për vendin,- tha nënpresidenti Cheney.

Por në Irak vazhdon të ketë shumë rreziqe. Atje ende janë mbeturinat e regjimit të Sadamit, të cilëve u bashkohen edhe terroristë nga vende të tjera. ”Misioni që kemi nisur nuk është i lehtë, -tha nënpresidenti Dick Cheney. Por,- tha ai,- Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë popullin irakian të ndërtojë një vend të lirë, sovran dhe demokratik.”// lk //

XS
SM
MD
LG