Lidhje

Cila është e ardhmja e transmetimeve ndërkombëtare? - 2003-07-30


Në moshën 21 vjeçare, reshteri amerikan Chuck Hagel doli vullnetar për të luftuar forcat komuniste të Vietnamit të Veriut. Në prill të vitit 1968, një minë toke e goditi atë në fytyrë dhe në gjoks.

Gjatë shërimit, ai u zotua se do të bënte diçka për të ndikuar në politikën e jashtme amerikane, në një mënyrë që ajo të mbronte njerëzit nga tmerret si ato që ai përjetoi gjatë luftës së Vietnamit.

Tani pas 35 vjetësh, Chuck Hagel është senator në komisionin e rëndësishëm për marrëdhëniet me jashtë. Gjatë një konference të kohëve të fundit, senatori Hagel theksoi rëndësinë e diplomacisë publike.

“Për sigurimin dhe qëndrueshmërinë e botës në të ardhmen, është e rëndësishme që ne të përqendrohemi në diplomacinë publike më tepër se kurrë më parë. Vetëm fuqia ushtarake nuk është e mjaftueshme. Në se njerëzit në Irak ose në Afganistan janë kundër nesh, dhe një mësim të tillë ne e nxorrëm në Vietnam, as 500 mijë trupa nuk janë të mjaftueshme për të fituar.”

Senatori Hagel thotë se diplomacia publike është veçanërisht e rëndësishme në kohë lufte kur frika shpesh ushqen thashethemet, që mund të përhapen me shpejtësi. Transmetimet radio-televizive për vende të ndryshme të botës, janë një element i rëndësishëm i diplomacisë publike dhe shpesh përbëjnë një mënyrë të efektëshme për t’iu kundërvënë fjalëve të tilla me informacione të sakta, thotë senatori.

Disa analistë thonë se roli jetik që luajnë këto transmetime nuk është pjesë e misionit ushtarak amerikan. Pentagoni nuk ka për detyrë të nxisë diplomacinë, thotë eksperti William Maurer. Ai mendon se lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar e ka vënë më tepër sa duhet theksin tek Pentagoni dhe tek sigurimi kombëtar i Shteteve të Bashkuara.

“11 shtatori dhe luftërat në Afganistan dhe në Irak e kanë vënë departamentin e mbrojtjes në ballë të politikës sonë të jashtme. Departamenti i mbrojtjes duhet përqëndrohet në publikun e brëndshëm dhe nuk ka të bëjë me diplomacinë publike. Është departamenti i shtetit që duhet merret me diplomacinë publike”, thotë eksperti.

Diplomacia publike shpesh quhet diplomacia mes njerëzve. Ajo përfshin shkëmbimet kulturore dhe akademike, përhapjen e informacionit rreth demokracisë dhe vlerave amerikane si dhe transmetimin e lajmeve ndërkombëtare dhe politikave amerikane në gjuhë të ndryshme.

Alan Heil, ish-drejtor i Zërit të Amerikës, thotë se transmetimet e huaja janë më të efektshme kur gërshetohen me lajme të sakta dhe analiza, me një gamë të gjerë të karakteristikave kulturore dhe ekonomike. Ashtu si transmetimet në botë sollnin informacione të sakta për evropiano-lindorët gjatë Luftës së Ftohtë, ato mund të bëjnë të njëjtën gjë sot në pjesë të tjera të globit, ku mungon shtypi i lirë dhe i saktë.

“Demokracia është një zjarr në mëndjen e njerzve. Ky zjarr mbahet ndezur nga komunikimi i vazhdueshëm, shkëmbimi i informacionit, ideve, aftësive dhe përvojës. Sot ekziston mundësia që transmetimet amerikane në botë, thjesht duke u përcjellë faktet dëgjuesve, mund të ndihmojnë në gjallërimin e elementëve të rinj reformistë në disa qeveri totalitare në botë.”

Programi më i freskët televiziv i Zërit të Amerikës është transmetimi i përditshëm i lajmeve në persisht, i quajtur News and Views, Lajme dhe Pikpamje.

Seth Cropsey është drejtor i Zyrës së Transmetimeve Ndërkombëtare, e cila mbikqyr transmetimet për jashtë. Ai thotë se programe si News and Views dëgjohen nga të huajt jo vetëm nëpërmjet radios, por edhe formave të tjera të informimit.

“Tani ne kemi mjete të shumta dhe asnjë qeveri në botë nuk është në gjendje të bllokojë mesazhin tonë, në se ne përdorim forma të ndryshme informimi si Interneti, e-meilli dhe sateliti. Çdo herë që hedhim informacion në sistem, ne e shumëfishojmë problemin e atyre që kanë frikë nga vërshimi i pandalshëm i informacionit.”

Analistët thonë se nisma të reja si programi News and Views janë shumë të pakta. Shumë programe të diplomacisë publike, përfshirë edhe ato të shkëmbimit, në të cilat marrin pjesë udhëheqës botërorë, janë shkurtuar ndjeshëm gjatë 10-vjeçarit të fundit.

Sipas tyre, vetëm diplomacia publike dhe transmetimet ndërkombëtare mund të mos jenë të mjaftueshme për të ndryshuar ndjenjat anti-amerikane, megjithatë ato vazhdojnë të kenë rol jetik në përhapjen e mesazhit amerikan nëpër botë.//kk//

XS
SM
MD
LG